Juventusi fitoi derbin ndaj Napolit në Serinë A pas një ndeshjeje spektakolare në Torino. Një autogol në sekondat e fundit ndihmoi kampionët e Italisë, që ishin pa trajnerin Sarri.
Autogoli në sekondat e fundit nga mbrojtësi Kulibali i hoqi nga duart Napolit një barazim të merituar në fushën e Juventusit, me ndeshjen e Serisë A që përfundoi 4-3 për kampionët.
Ishte një nga ato përballje që do të mbahen mend, dhe që nuk janë edhe aq të zakonshme për futbollin italian, pasi Juventusi kryesoi deri në 3-0, por napolitanët u përgjigjën dhe barazuan 3-3.
U duk se do të ishte dominim i torinezëve, edhe pse ata nuk kishin trajnerin Sarri të sëmurë, dhe kapitenin Kielini të dëmtuar.
Danilo, Gonzalo Higuain dhe Kristiano Ronaldo i dhanë vendasve epërsinë e thellë, veçse skuadra e trajnerit Karlo Ançeloti u përgjigj në mënyrë madhështore.
Manolas, Lozano dhe Di Lorenco barazuan shifrat përballë një publiku të habitur plotësisht.
Gjithsesi, futbolli luhet deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit, dhe kur ajo erdhi, rezultati përfundimtar ishte 4-3.
Afrikani Kulibali, i vlerësuar si një nga mbrojtësit më të mirë të botës, dënoi ekipin e tij në minutën e 92-të.
Sulmuesi Higuain, autor i një ndeshjeje të madhe, deklaroi më pas se fitorja ishte e merituar, edhe pse u duk si një “ruletë ruse”.
Pas një ndeshjeje të tillë ekziston shpresa se Seria A do të jetë spektakolare, dhe se rivaliteti për titull nuk do të mungojë.
/ABC News Albania 24/7