Juventusi mbyll vitin me rekorde

schedule18:44 - 29 Dhjetor, 2018

schedule 18:44 - 29 Dhjetor, 2018

Juventusi mbylli një vit me rekorde, pas fitores ndaj Sampdorias në Serinë A. Cristiano Ronaldo ishte sërish heroi, duke shënuar të dy golat.

Vendi i parë në renditje? Po! Përfundim i fazës së parë pa humbje? Patjetër që po! Rekord i pikëve të fazës së parë të Serisë A? Edhe këtë e realizoi Juventusi pas fitores 2-1 ndaj Sampdorias në Torino. Në 19 ndeshjet e gjysmëkampionatit, u grumbulluan 53 pikë, ndërsa gjatë gjithë vitit 2018, skuadra e trajnerit Masimiliano Allegri kaloi kuotën e 100 pikëve.

Cristiano Ronaldo ishte sërish protagonisti numër 1, autor i të dy golave, dhe po ashtu njeriu që krijoi rreziqet më të mëdha në portën e dorianëve. Portieri mik, Audero, kartonin e të cilit e ka pjesërisht Juventusi, bëri pritje të rëndësishme. Në total, portugezi ka 14 rrjeta në Serinë A, katër prej të cilave me penallti, një nivel i kënaqshëm, edhe pse ende jo në ritmet e tij tek Reali i Madridit.

Gjithsesi, një skuadër 7 herë radhazi kampione, nuk mund të jetë vazhdimisht në maksimum. Kështu i ndodhi Juves ndaj Sampdorias, kur uli ritmin sa herë ishte në avantazh, i ngopur nga sukseset e shumta. Gjenovezët bënë detyrën, dhe jo vetëm barazuan herën e parë, por fare mirë mund të kishin marrë pikën në stadiumin “Al lianz Arena”.

Për fat që Seria A ka teknologjinë VAR, dhe ishte ajo që anuloi golin shumë të bukur të Saponarës. Pozicioni jashtë loje ekzistonte dhe vendimi i gjyqtarit ishte i drejtë. Juventusi kryeson pra me 53 pikë në 19 ndeshje, i shkëputur ndjeshëm nga rivalët./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!