Juventusi arriti fitore minimale në Serinë A, duke mos bindur aspak me lojën e tij. Gjithsesi, suksesi ishte i rëndësishëm për të larguar tronditjen e humbjes së pësuar në Champions
Nuk pati shkëlqim, por pas asaj që ndodhi në Spanjë, duheshin pikët. Juventusi kaloi me sukses një ndeshje të vështirë në fushën e Bolonjës, në Serinë A, duke hedhur një tjetër hap drejt titullit të radhës. Po ashtu la pas tronditjen e humbjes së rëndë 0-2 në fushën e Atletikos në Champions.
Edhe pse me Ronaldon sërish titullar, kampionët e Italisë luajtën dobët në pjesën e parë, duke pasur vetëm një rast të mirë me anë të Bernardeskit. U desh hyrja në fushë e Paulo Dibalës kur kishte kaluar afërsisht një orë lojë, që ndeshja të fitohej.
Goli u shënua pikërisht nga argjentinasi në minutën e 67-të, por pati vuajtje deri në fund. Bolonja e trajnerit të ri, Sinisha Mihajloviç, nuk u dorëzua për asnjë moment, madje goditi shtyllën me anë të Sansones.
Trajneri Masimiliano Alegri hodhi në fushë vetëm pas pushimit lojtarë të tillë si Pjaniç, Kielini apo vetë Dibala, për t’i pasur sa më të freskët për ndeshjen e kthimit me Atletikon. Fitorja bëri që Juventusi të ketë tani 69 pikë në krye të renditjes së Serisë A, duke mos pasur asnjë humbje pas 25 javësh kampionat, me shpresë që këtë vit titulli të fitohet me pathyeshmëri./abcnews.al