Andrea Pirlo i ka idetë e qarta, edhe pse këtë periudhë nuk ka pasur mundësinë të punojë me skuadrën e plotë. Një pjesë e mirë e futbollistëve janë në grumbullime me kombëtaret e tyre, por së shpejti bardhezinjtë do të plotësohen.
Pirlo, në një prononcim për “Juve TV” është shprehur se gjithçka ka nisur me entuziazëm dhe dëshirë për t’u stërvitur. “Djemtë janë të etur të paraqiten mirë. Kanë hasur në një metodologji të re, po bëjnë ushtrime që nuk i kanë aplikuar më parë dhe kjo sjell njëfarë entuziazmi”, thotë mes të tjerash Pirlo.
Ajo që do nga Juventusi është agresiviteti: “Agresiviteti dhe dëshira për të fituar topin pasi e humb, këto janë gjërat mbi të cilat po punojmë. Nëse shikojmë Champions League, ekipet që shkuan larg ishin pikërisht ato që mundoheshin ta rikuperonin topin sa më shpejt. Kjo duhet të jetë karakteristika që të na dallojë ne”. /abcnews.al