Juventus vuan, por në fund fiton dhe largon frikën në Champions. “Zonja e Vjetër” mundi 2-0 Pafos për t’u kthyer te suksesi, pas një ecurie aspak pozitive në ndeshjet e fundit.
Loja e bukur mungoi edhe këtë herë për skuadrën e drejtuar nga Luçiano Spaleti, por të rëndësishme në këtë moment të sezonit janë pikët.
Juventus gjeti epërsinë vetëm në minutën e 67-të me golin e Ueston Mekeni.
Vetëm gjashtë minuta më pas Devid dyfishoi shifrat dhe vulosi fitoren e “Zonjës së Vjetër”, që me nëntë pikë renditet në vendin e 17 dhe në zonën e play off të Champions.
Krejt i ndryshëm është diskutimi për Napolin. Champions mbetet si gjithmonë një “mallkim” për kampionët e Serie A, që u mundën 2-0 në fushën e Benfikës.
Skuadra e drejtuar nga Jose Mourinho shënoi nga një gol për çdo pjesë.
Rios në minutën e 20-të kaloi në epërsi portugezët, ndërsa shumë shpejt pas pushimit Barreiro dha goditjen e “KO” për Napolin që me vetëm shtatë pikë në gjashtë ndeshje është shumë pranë zonës së eliminimit direkt.
Nuk kishte festë as për kampionët në fuqi të Europës.
Paris SG u ndal në barazimin pa gola në transfertën kundër Atletik Bilbao. Skuadra e Luis Enrique dominoi në të gjithë komponentët e lojës. Kontrrolloi topin në 72% të ndeshjes, goditi 18 herë nga këto 5 në katërkëndësh, por nuk arriti të gjejë fitoren. Me këtë pikë, Paris SG gjithsesi mbetet në zonën e kualifikimit direkt në vendin e tretë të renditjes.
Edhe Borussia Dortmund zhgënjeu parashikimet, duke barazuar në shtëpinë e saj 2-2 ndaj Bodo Glimt.
Gjermanët ishin dy herë në epërsi, falë golave të shënuar nga Julian Brandt, por në të dy rastet u arritën nga norvegjezët. Me këtë barazim, Borussia zbret në vendin e 10 në zonën e play off në Champions League.

