Juventus kthehet në garë/ Fitorja në Serinë A e afron në 6 pikë me kreun

schedule12:35 - 4 Mars, 2025

schedule 12:35 - 4 Mars, 2025

Vështirë që ndonjë skuadër në Itali të jetë kritikuar më shumë. E vërtetë që Milani është shumë më keq se kaq, por edhe Juventusi i trajnerit Tiago Mota u godit si ndonjë fëmijë jetim, ndërsa nuk arrinte dot të ngrinte kokë.

Gjithsesi, edhe pas eliminimit nga Championsi e nga Kupa e Italisë, edhe pas disfatës në Superkupën italiane, paska ende shpresë.

E tregoi fitorja 2-0 ndaj Veronës, që për statistikë e paradoks qenka e pesta radhazi në Serinë A.

Falë golave nga Kefren Turam në 72’ dhe Kopmeiners në 90’, bardhezinjtë arritën në 52 pikë, dhe janë në vendin e katërt.

E vërtetë që rrjetat erdhën shumë vonë dhe që fitorja ishte në diskutim deri në fund, por e vërtetë edhe që diferenca me Interin kryesues është 6 pikë.

Po ashtu, “Zonja e Vjetër” dominoi në stadiumin “Alianc” të Torinos, me 27 gjuajtje ndaj 5 të miqve, me 77 për qind mbajtje topi e kornet 6-0!

“Ngjitet Juvja, fitorja e pestë radhazi në Serinë A, kreu është 6 pikë larg. Të dielën Atalanta, për të dalë në vend të tretë”, shkruan “La Gazeta delo Sport”.

Ja edhe “Tutosport” nga Torino, një gazetë tifoze: Përpara me Turamin! Juvja është e katërta, -6 pikë nga Interi. Mota: Ëndrra për titull? Le të shijojmë fitoren”!

Trajneri Tiago Mota vlerëson lojtarët e tij.

“Padyshim nga fitorja. Jam gjithmonë i kënaqur kur fitojmë. Lojtarët e mi kanë pasur mentalitetin e duhur që nga dita e parë kur kam nisur punën. Ata u përgjigjën pas eliminimit nga Kupa e Italisë, dhe unë u zemërova shumë me ta, pikërisht sepse nuk treguan veten. Përveç kësaj, lojtarët kanë qenë siç duhet, me mentalitet të fortë. Ashtu si këtë herë, një provë se ata janë djem që duan të kenë sukses, që kanë karakter, luajnë mirë, dhe përballuan këtë moment të vështirë duke arritur fitoren”.

E vërteta është që Juvja ka mjaft lojtarë të rinj, se ka 13 barazime në 27 ndeshje, por edhe që ka numrin më të vogël të humbjeve në Serinë A, vetëm një.

Të dielën, pra është sfida në Torino ndaj Atalantës dhe një fitore do të thoshte vend i tretë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!