Juventusi kërkon Mauricio Sarrin si pasardhës të Alegrit. Kampionia e Italisë ka disa alternativa për stolin, ndërsa synon të triumfojë në Champions sezonin e ardhshëm.
Njeriu që fitoi 5 tituj tashmë u largua.
Juventusi dhe presidenti i tij, Andrea Anjeli, kanë detyrën masive për të zgjedhur pasardhësin e Masimiliano Alegrit, duhet ta bëjnë shpejt dhe mirë, një zgjedhje për Championsin.
Kandidatura numër 1 sot është ajo e Mauricio Sarrit.
Mediat italiane e patën emrin e trajnerit të Çelsit, si kryefjalë të tyre, ndonëse ekzistojnë edhe kandidatura të tjera.
“La Gazeta delo Sport”: Alo, Sarri! Anjeli i telefonon trajnerit të Çelsit, dhe i kërkon nëse është në dispozicion për Juven!
“Tutosport” e Torinos, gjithashtu shumë e informuar: Sarri apo Inzagi! Ja Juventusi ynë! Takim për Poçetinon, kushton shumë, 20 milionë euro në sezon! Të premten takimi Lotito-Simone!
Sarri mbetet shumë i vlerësuar në Itali, pavarësisht nga vështirësitë që ka hasur në Angli me Çelsin.
I menduar fillimisht si pretendent për titull, ekipi londinez siguroi me vështirësi kualifikimin për në Champions, por gjithashtu arriti finalen e Ligës së Evropës, ndërsa humbi finalen e Kupës së Ligës ndaj Mançester Sitit.
Sarri pritet të largohet dhe në vend të tij të vijë Lampard, ndërsa Juventusi mendon se ish-trajneri i Napolit është i duhuri, pasi e njeh mirë Serinë A dhe ka përvojën e duhur.
Nëse kjo marrëveshje nuk arrihet, trajneri tjetër i preferuar është Simone Inzagi i Lacios.
Ai është treguar shumë i suksesshëm me një skuadër si Lacio, shumë më modeste financiarisht se Juventusi, Milani apo Interi, duke fituar disa trofe, ndërsa nuk dihet nëse presidenti i tij, Lotito, do ta lejojë të largohet.
Maurisio Poçetino ishte, në të vërtetë, zgjedhja numër 1 i juventinëve, por duket se ai nuk dëshiron të largohet nga Totenhemi.
Thuhet se argjentinasi kërkoi një rrogë të pabesueshme prej 20 milionë eurosh, por mendohet se ai pëlqen të synojë suksesin në Londër.
Nuk duhet harruar as këshilla e Kristiano Ronaldos.
Superylli i Juventusit, mësohet se ka propozuar Zhoze Murinjon, të shkarkuar aspak me lavdi nga Mançester Junajtidi dhjetorin e kaluar.
Gjithsesi, Murinjo cilësohet nga Ronaldo si një trajner i madh, shumë ambicioz dhe fitues, ndër të paktët që mund ta ndihmojë Juventusin për të fituar Championsin.
Pritet të shihet se çfarë zgjedhje do të bëjë kampionia e Italisë, por është e sigurt se duhet pritur të paktën deri në fund të muajit maj./ABC News Albania 24/7