Juventusi rrezikon të eliminohet në Champions që në pley off, dhe kjo pas humbjes së rëndë që pësoi në Stamboll ndaj Gallatasarajit. Skuadra turke fitoi 5-2 dhe është tani favorite për të kaluar në raundin e dytë. Në një ndeshje ku vendasit luajtën më mirë, italianët pësuan një nga humbjet më të thella të historisë së tyre në Europë.
Edhe pse Juventusi arriti fillimisht të përmbyste rezultatin dhe të kryesonte 2-1, nuk mundi ta përballonte kundërshtarin deri në fund. Në minutën e 67-të, miqtë mbetën me 10 lojtarë kur rezultati ishte 3-2, dhe më pas pësuan edhe dy gola të tjerë. Tashmë, ekipit italian do t’i duhet një mrekulli për të përmbysur rezultatin dhe për t’u kualifikuar në ndeshjen e dytë që luhet të mërkurën e ardhshme.


