Juristi: Kryebashiaku Alla duhet shkarkuar menjëherë! Të nisin hetimet për kërcënimin e gazetarit

schedule11:50 / 23/01/2020

Juristi i njohur Ferdinand Doja i ftuar sot në studio me Juli Xhokaxhi tha se video e publikuar në Abc News, ku shfaqet kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla duke konsumuar kokainë është shumë e rëndë. Sipas tij, qeveria duhet ta kishte shkarkuar menjëherë Allën, ndërsa prokuroria të nisë hetimet për të zbuluar autorët që kanë kërcënuar gazetarin Artan Hoxha. Ndër të tjera, u shpreh se “disa kryetarë bashkish po veprojnë si rrugaçë, si kriminelë të sprovuar”.

Ferdinand Doja: Përdorimi i lëndëve narkotike nuk parashikohet si veper penale në Kodin Penal. Kjo është e dënueshme moralisht. Është një akt i paprecedent për një kryetar bashkie. Veper penale është kërcënimi që i është bërë gazetarit Artan Hoxha. Sot qeveria jonë duhet të kishte marrë masa për këtë kryetar bashkie. Nuk dua t’i jap ngjyra politike, por ai është qytetari i parë i atij qyteti. Çfarë morali jep ai tek të rinjtë, tek qytetarët e tij?! Një i zgjedhur nga qytetarët që konsumon lëndë narkotike në ambient publik duhet të ishte shkarkuar menjëherë.

Në Kodin Penal parashikohet dënimi për atë që përshtat ambientet e lokalit për të konsumuar lëndë narkotike, kurse vetë përdoruesi është i përjashtuar nga dënimi penal, por prapë këmbëngul se edhe pse nuk e kap ligji penal, ndaj tij duhet të kishte masë administrative. Nuk mundet ai të rrijë sot kryetar bashkie.

Ndërsa sa i përket kërcënimit të gazetarit, kjo është shumë e rëndë dhe duhet të nisin hetimet. Nëse Kryetari i Bashkisë ka kërcënuar gazetarin për të mos nxjerrë videon duhet të shkojë në burg.


Edhe pse ai mbase nuk e ka kërcënuar vete personalisht, dihet se kush është i përfshirë, dihet kush i ka çuar njerëzit për të kërcënuar gazetarin. Për këtë prokuroria dhe policia duhet të veprojnë menjëherë, pa humbur kohë.

Xhokaxhi: A duhet ta kishte marrë policia në pyetje Lefter Allën?

Doja: Policinë nuk e ndalon asgjë të bëjë hetime, këtë person mund ta thërrasë për të dhënë shpjegime se ku e ka marrë lëndën narkotike, për të vajtur tek shpërndarësi dhe tek grosisiti. Hetimi duhet të kishte filluar për këtë pjesë.

Xhokaxhi: A duhet të hetojë prokuroria, duke marrë indicie nga materiali i publikuar në media?

Doja: Jemi dëshmitarë se nga indiciet mediatike kanë filluar çështje penale dhe kanë çuar njerëz në burg. Kjo për mua është indicie për të regjistruar një çështje penale, qoftë edhe pa autor. Siç është bërë presion ndaj gazetarit mund të jetë bërë presion edhe ndaj personave të tjerë. Hetimet duhet të nisin menjëherë nga Prokuroria.

Xhokaxhi: Z. Alla ka mohuar çdo gjë, ka thënë se është video-montazh. Të gjithë kryebashkiakët e tjerë të kapur nga dekriminalizimi kështu kanë vepruar?

Doja:  Sepse kanë pritur të shohin se çfarë provash ka. Por mund të them se ky është rast tjetër nga ata të mëparshmit që janë shkarkuar për shkak se të Dekriminalizimit. Ky për mua është rasti më i rëndë: Një kryebashkiak që merr lëndë narkotike në publik! Sa i përket mashtrimit, nuk është veper penale, por rrethanë rënduese në një proces gjyqësor. Por duhet të dimë se drejtuesit vendorë kanë edhe përgjegjësi morale, jo vetem ligjore.

Juli Xhokaxhi: Agim Kajmaku i Vorës është arratisur, po kjo a është veper penale?

Doja: Nuk është veper penale arratia, është rrethanë rënduese. Një person që i fshihet drejtësisë nuk përbën vepër penale. Në rastin konkret po shohim se disa kryetar bashkish që po veprojnë si rrugaçë, si kriminelë të sprovuar. Ky duhet të jetë mësim edhe për politikën. Aty duhet të shkojnë njerëzit që e meritojnë.  /abcnews.al

schedule11:50 / 23/01/2020