Julia Hoxha është një nga emrat më frymëzues të teknologjisë shqiptare në diasporë. Vajza nga Patosi që sot qëndron pas aplikacionit inovativ të shëndetit “ZANA”, ka ndërtuar një rrugëtim të jashtëzakonshëm mes shkencës, inteligjencës artificiale dhe sipërmarrjes, duke e çuar emrin shqiptar në majat e Health Tech gjermane.
“ZANA” është një aplikacion shëndetësor i bazuar në inteligjencë artificiale, i cili analizon zërin e njeriut për të identifikuar shenja të hershme të sëmundjeve. Në kohën kur u krijua “ZANA”, as “Alexa” dhe as ChatGPT nuk ishin ende në treg. Megjithatë, vizioni i Julias dhe ekipit të saj ishte i qartë: të ndërtohej një aplikacion që të ndërvepronte natyrshëm me njerëzit dhe t’u jepte këshilla mjekësore për çdo problem shëndetësor.
“Ne jemi duke e testuar ‘ZANËN’ kryesisht në sëmundjet kardio-respiratore”, shpjegon ajo. Sipas Julias, aplikacioni ndihmon si pacientin, ashtu edhe mjekun, për të kuptuar shkakun e problemit në kohë. Kjo përkthehet në kursim kohe, parash dhe, mbi të gjitha, në shpëtim jete. Pas suksesit të “ZANA”-s qëndron edhe një histori partneriteti të fortë. Julia dhe Armandi janë partnerë në jetë dhe në kompani, një çift suksesi në teknologji.
Julia jeton prej 19 vitesh në Gjermani, por largimi i parë nga Shqipëria ka qenë shumë më herët, kur nisi studimet në Bullgari. Më pas, bashkë me bashkëshortin, u zhvendosën në Gjermani për të ndjekur studimet master. Para këtij rrugëtimi, suksesi i parë i madh kishte ardhur shumë herët. Që në moshën 21-vjeçare, Julia dhe Armandi themeluan kompaninë e parë, “Shqipëria.com”, një platformë që u rrit në mënyrë të vrullshme, madje në atë kohë më shpejt se Facebook./abcnews.al

