Shkencëtarët kanë zbuluar se thinjat nuk kanë të bëjnë vetëm me plakjen por dhe me stresin e tepërt. Qelizat përgjegjëse për prodhimin e pigmentit që i jep ngjyrë flokëve tanë zhduken kur trupi është i mbiekspozuar ndaj efekteve të kortizolit, hormonit të stresit, përfunduan shkencëtarët.
“Gjëja e parë që duhet të dini është se flokët thinjen për shkak të mungesës së melaninës, pigmentit në folikulat e flokëve”, shpjegon Gary Goldenberg. Folikulat kanë ende një numër normal të melanociteve, qelizat që përbëjnë pigmentin, por këto qeliza ndalojnë së punuari me kalimin e kohës dhe flokët bëhen gri.
“Gjenetika luan një rol të rëndësishëm. Nëse prindërit tuaj u thinjën herët, me siguri do ta bëni edhe ju, dhe nuk mund të bëni asgjë për këtë”, thotë dermatologu Joshua Zeichner. Por është gjithashtu e mundur që flokët tuaj të zbardhen për tre arsyet e mëposhtme.
Pirja e duhanit
“Kjo mund të lidhet me deficitin e lëndëve ushqyese të krijuar nga nikotina, ose zakone të tjera të këqija të jetesës. Gjithashtu, është e mundur që radikalet e lira që shumohen për shkak të pirjes së duhanit, të dëmtojnë folikulat e flokëve dhe të shkaktojnë shfaqjen e parakohshme të flokëve gri – zbulon Goldenberg dhe këshillon lënien e duhanit si terapinë më të mirë.
Mungesa e vitaminës B12
“Mungesa e vitaminës B12 lidhet me fillimin e hershëm të flokëve gri”, thekson Goldenberg. Ekspertët nuk janë të sigurt pse është kështu, por lidhja tashmë është vërtetuar. Por përpara se të merrni suplemente, kontrolloni nivelet e vitaminës B12 përmes një testi laboratorik.
Stresi
Ekspozimi i shpeshtë ndaj stresit i bën flokët të thinjen herët, besojnë shkencëtarët. “Edhe pse nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë, stresi rrit nivelin e kortizolit, i cili rrit numrin e radikaleve të lira, dhe dëmton folikulat dhe qelizat që krijojnë pigment në flokë”, thotë Goldenberg. /abcnews.al