Joshua vs Fury drejt anulimit, Deontay Wilder befason nga SHBA

schedule16:38 - 18 Maj, 2021

schedule 16:38 - 18 Maj, 2021

Prej disa muajsh fansat e boksit po prisnin me padurim zyrtarizimin e përballjes historike midis Anthony Joshua dhe Tyson Fury, por mesa duket dueli midis kampionëve anglezë duhet të presë.

Prishësi i planeve është Deontay Wilder. Boksieri amerikan u mposht dhe humbi titullin kampion bote të konfederatës “WBC” në përballjen e 22 Shkurtit të 2020-ës ndaj Tyson Fury.

Në rast fitoreje të këtij të fundit, Wilder i lind e drejta e një përballje tjetër me kundërshtarin anglez, por Fury e anashkaloi këtë klauzolë, pasi sipas tij marrëveshja e kishte kaluar afatin kohor të kontratës.

Skuadra ligjore e Wilder e çoi çështjen në gjyq dhe ditën e djeshme gjykatësi vendosi në favor të Wilder, i cili tashmë po përgatitet për hakmarrje ndaj anglezit të pamposhtur Tyson Fury.

Sipas “ESPN”, gjykatësi i çështjes ka vendosur datën 15 shtator si afatin maksimal për përballjen e radhës të dy peshave të rënda. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!