Laçi ka mposhtur Tiranën në ndeshjen e javës së 13-të me rezultatin e ngushtë 1-0, me gol të shënuar vetëm në minutën e 90 me antë të një penalltie të shënuar në gol nga Regi Lushkja.
Pas kësaj fitoreje kurbinasit kanë rihapur kampionatin teksa e shikojnë vendin e parë të mbajtur nga kundërshtarët e sotëm vetëm 6 pikë larg.
Për “Supersport”, trajneri i kurbinasve, Mirel Josa ka kërkuar nga lojtarët e tij të qëndrojnë me “këmbë” në tokë për të vazhduar me ecurinë pozitive.
“Edhe ne iu ruajtëm Tiranës, pasi e dimë forcën e saj, që për më tepër sot na befasoi, duke luajtur me tre në mbrojtje. Në pjesën e dytë ne u përshtatëm më mirë karshi erës që e kishim kundër, luajtëm më mirë me topin dhe gjetëm edhe golin. Edhe Tirana bëri mirë, sidomos me hapjen në krahun e djathtë.
Unë nuk mendoj për titullin kampion, por i gëzohem faktit që kam një skuadër të përqendruar dhe dua ta ruajmë sa më shumë këtë cilësi. Për titull garojnë shumë skuadra dhe ne duhet të jemi me këmbë në tokë.
Vlerat e Mazrekajt dihen, por sot nuk ishte në formë të mirë dhe e nisi nga stoli. Sakrifikoi në fund për të luajtur disa minuta, por nuk po ndihej mirë dhe e hoqëm sërish në shtesë, për të mos rrezikuar. Megjithatë ne kemi shumë futbollistë dhe në fushë luajnë ata që janë në formën më të mirë.
Edhe unë dua të dalim kampion, si shumë trajnerë të tjerë me skuadrat e tyre, por unë dua të mbaj skuadrën me këmbë në tokë dhe të përqendruar. Unë kam gjetur një skuadër si rrallë në vend tjetër, me shumë cilësi dhe iniciativë, por duhet të ruajmë këto cilësi edhe në vazhdimësi, ndaj nuk dua të mendoj për titullin”, deklaroi Josa. /f.a/abcnews.al

