Josa: Kemi një ngërç që prej ndeshjes me Tiranën, nuk ishim të qartë para portës

schedule16:50 - 13 Mars, 2022

schedule 16:50 - 13 Mars, 2022

Laçi vazhdon “agjërimin” e fitoreve, teksa barazoi ditën e sotme me Skënderbeun në shtëpinë e tij, ndërsa ky ishte barazimi i 3-të rresht në 4 ndeshjet e fundit që nuk njeh fitoren.

Një barazim që i largon kurbinasit edhe më shumë nga vendi i parë, ndërsa tashmë ndjejnë edhe “kërcënimin” e vendit të dytë, pasi Kukësi është vetëm 4 pikë pas tyre.

Pas ndeshjes Mirel Josa analizoi takimin e sotëm, ndërsa u shpreh se djemtë e tij u sollën siç duhet kur ishin me 10 lojtarë.

“Unë nuk e diskutoj ndeshjen për minutat që mbetëm në inferioritet numerik, por që nga fillimi dhe gjetëm përballë një skuadër shumë të ngjeshur në lojën mbrojtëse. Ata synonin kundërsulmin, pasi me këtë ngjeshje do të ishte e vështirë të kishin vijueshmëri aksionet tona. Na lanë krahët që të organizoheshim, por në momentin që merrnim topin me mbrojtësit anësorë, nuk ishim shumë të qartë në pasime për të krijuar rrezik.

Me kalimin e minutave tensioni erdhi në rritje, por nuk mund të them që jam i kënaqur me skuadrën. Më shumë mund të them se jam i kënaqur me skuadrën, kur mbeti me një lojtar më pak. Duhet të ndalem te rasti i Velkovskit, por pas atij kartoni të kuq, ngulmuam në mënyrë graduale, pasi kishim vetëm Guindo në zonë. I patëm rastet tona, por kemi një farë ngërçi, që prej ndeshjes me Tiranën dhe kjo po na pengon të shënojmë.

Mazrekajn ndaj e kishim lënë pushim, pasi ishte ngarkuar shumë fizikisht, megjithatë sot nuk mund të drejtojmë gishtin te ai, pasi të gjithë lojtarët e tjerë nuk arritën të shfaqin cilësitë e tyre më të mira. Guindo bëri një luftë të vazhdueshme, por nuk u mbështet as nga Spahiu dhe as nga Adeleke”, deklaroi tekniku i kurbinasve. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!