Kryeministri britanik Boris Johnson është shprehur se si Britania ashtu dhe Gjermania ndajnë të njëjtën ndjenjë “tmerri dhe neverie për brutalitetin që po ushtrohet në Ukrainë”.
Johnson njoftoi se Mbretëria e Bashkuar do të dërgonte 100 milionë funte të tjera pajisje ushtarake të cilësisë së lartë për forcat e armatosura të Ukrainës.
Ndër të tjera tha se sulmi në stacionin e trenit në Ukrainën Lindor sot tregoi “se ku është zhytur ushtria dikur e lavdëruar e Putinit”.
“Është një krim lufte të sulmosh pa dallim civilët dhe krimet në Ukrainë, të cilat nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar”, tha Johnson.
Johnson tha përsëri se “Putini duhet të dështojë”, përpara se të njoftonte se Mbretëria e Bashkuar kishte vendosur ngrirje të reja asete dhe ndalime udhëtimi në Rusi sot.
Kryeministri britanik tha se Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania janë në krah të dhjetëra aleatëve për të furnizuar Ukrainën me armë mbrojtëse, duke përfshirë dhe helmeta e parzmore.
“Evropa që e njihnim vetëm gjashtë javë më parë nuk ekziston më. Pushtimi i Putinit godet themelet e sigurisë së kontinentit tonë, por ambicia e tij për të na ndarë, ka dështuar dukshëm. Përkundrazi, ai ka arritur të bashkojë Evropën dhe të gjithë aleancën transatlantike në mbështetje të Ukrainës dhe në solidaritet të fortë me njëri-tjetrin”, ka thënë Johnson.
/abcnews.al