John Bolton, ish-këshilltar për sigurinë kombëtare në presidencën e Donald Trump dhe ish-ambasador në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në udhëheqjen e George W Bush, ka pranuar se ka ndihmuar në planifikimin e përpjekjeve për grusht shteti në vende të huaja, shkruan The Guardian.
Bolton e bëri deklaratën në CNN pas seancës dëgjimore në Kongres për ngjarjet e 6 janarit 2021, ku protestuesit u futën brenda godinës për të kundërshtuar certifikimin e Joe Biden në postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara.
Gjatë intervistës, Bolton, tha se Trump nuk u tregua i zoti për të realizuar një grusht shteti.
“Duke folur si dikush që ka ndihmuar në planifikimin e grushteve të shtetit, jo këtu, por në vende të tjera, duhet shumë punë. Dhe ai nuk e bëri këtë”, tha Bolton.
Tapper e pyeti Boltonin se për cilat grushte shteti e kishte fjalën. “Nuk do të jap detaje”, tha Bolton, para se të përmendte Venezuelën.
“Nuk doli i suksesshëm. Jo se kishim shumë ndikim në të, por pashë çfarë duhet të bënte një opozitë për t’u përpjekur që të rrëzonte një president të zgjedhur në mënyrë të paligjshme dhe ata dështuan”, tha ai.
Para se Bolton t’i bashkohej administratës Trump, u raportua gjerësisht se Trump donte të përdorte ushtrinë amerikane për të larguar Maduro. Në gusht 2017, Trump u tha gazetarëve: “Ne kemi shumë opsione për Venezuelën, ky është fqinji ynë”.
Në vitin 2019, si këshilltar i sigurisë kombëtare, Bolton mbështeti liderin e opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, i cili i kërkoi ushtrisë që ta mbështeste për të rrëzuar nga pushteti Presidentin Nicolas Maduro, duke pretenduar se fitorja e tij në zgjedhje ishte e paligjshme.
Tapper gjithashtu e pyeti: “Më duket sikur ka gjëra të tjera që nuk po më thoni”.
Bolton iu përgjigj: “Sigurisht që ka.”
/abcnews.al