Joe Biden pranon emërimin e demokratëve për president: Të bashkuar mund të kapërcejmë këtë errësirë

schedule07:25 - 21 Gusht, 2020

schedule 07:25 - 21 Gusht, 2020

Joe Biden, pas gati një gjysmë shekulli në skenën politike amerikane, të enjten mbrëma pranoi nominimin demokrat për të kandiduar për president të Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke u thënë amerikanëve se ishte koha për të larguar Presidentin republikan Donald Trump pas pothuajse një mandati në Shtëpinë e Bardhë.

“Të bashkuar ne mund dhe do ta kapërcejmë këtë stinë të errësirës”, deklaroi zoti Biden ndërsa Shtetet e Bashkuara përballen me pandeminë e ashpër të koronavirusit dhe miliona njerëz kanë humbur vendet e punës.

Ai deklaroi se Presidenti Trump “nuk merr asnjë përgjegjësi” për përhapjen e sëmundjes ngjitëse dhe “refuzon të udhëheqë”.

“Pas gjithë kësaj kohe”, tha zoti Biden, “ky president ende nuk ka një plan” për të luftuar pandeminë. “Ai nuk arriti të mbrojë Amerikën … dhe kjo është e pafalshme”.

Fjalimi i zotit Biden, nga një qendër aktivitetesh në qytetin e tij të lindjes, Wilmington, Delaware, po vjen në natën e katërt dhe të fundit të Konventës Kombëtare virtuale Demokrate, një koleksion prezantimesh të regjistruara dhe të drejtpërdrejta, që lartësojnë Biden-in dhe sulmojnë presidencën 3-vjeçare e gjysëm të Presidentit Trump.

Presidenti Trump dhe republikanët do të mblidhen në konventën e tyre virtuale katër-ditore kombëtare duke filluar nga e hëna. Por Presidenti Trump, në një vizitë të enjten në Old Forge, Pensilvani, afër shtëpisë së fëmijërisë së zotit Biden në Scranton, dha tregues të sulmeve të ardhshme republikane.

“Nëse doni një vizion të jetës suaj nën presidencën Biden, mendoni për rrënojat e shkrumbuara në Minneapolis, anarkinë e dhunshme të Portlandit, trotuaret me gjak të Çikagos dhe imagjinoni kaosin që vjen në qytetin tuaj dhe në çdo qytet të Amerikës”, u tha Presidenti Trump mbështetësve disa orë përpara fjalimit të zotit Biden.

Demokratët u detyruan të braktisin planet për një konventë me mijëra pjesëmarrës brenda një stadiumi basketbolli në qytetin Milwaukee, të shtetit Wisconsin, për shkak të pandemisë së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, e cila ka vrarë një numër rekord prej 174’000 njerëzish, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Nëse fiton zgjedhjet e 3 nëntorit dhe inagurohet në janarin e ardhshëm, zoti Biden do të ishte 78 vjeç, presidenti më i vjetër i Shteteve të Bashkuara, duke ia kaluar edhe Presidentit Trump, i cili është 74 vjeç.

Por zoti Biden fitoi përballë kandidatëve të shumtë demokratë, pothuajse të gjithë, përveç njërit, më të rinj se ai, për të fituar nominimin e partisë së tij në kandidimin e tij të tretë për presidencën, pas përpjekjeve të pasuksesshme në 1988 dhe 2008. Ai ishte senator për 36 vjet dhe shërbeu tetë të tjera si zëvendës i Presidentit Barack Obama, përpara se zoti Trump të fitonte presidencën në 2016.

Muaj më parë, zoti Biden premtoi të zgjidhte një grua si kandidate për nënpresidente. Ai përzgjodhi javën e kaluar Senatoren e Kalifornisë, Kamala Harris pas një procesi verifikimi disa javor të shumë opsioneve të tjera. Zonja Harris ishte një zgjedhje historike në analet politike të Shteteve të Bashkuara, gruaja e parë afrikano-amerikane dhe me prejardhje aziatike që bëhet pjesë e kandidaturave partiake në nivel kombëtar.

Disa nga kandidatët demokratë përballë të cilëve zoti Biden fitoi gjatë zgjedhjeve paraprake në fillim të këtij viti, përfshirë Senatorin e Vermontit, Bernie Sanders, mbajtën fjalime në konventë këtë javë në mbështetje të dyshes që kandidon.

Njëri prej tyre, sipërmarrësi Andrew Yang, u tha shikuesve natën e fundit të konventës se “i kam njohur të dy, Joe-in dhe Kamalan gjatë fushatës vitin e kaluar – ashtu siç mund ta njohësh vërtet dikë kur kamerat janë fikur, turmat kanë ikur, dhe jeni vetëm ju dhe ata”.

“Ata i kuptojnë problemet me të cilat përballemi,” tha zoti Yang. “Ata janë prindër dhe patriotë që duan më të mirën për vendin tonë. Nëse ua japim atyre mundësinë, ata do të luftojnë për ne dhe familjet tona çdo ditë”.

Një tjetër ish-kundërshtar i zotit Biden i shndërruar në përkrahës, ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg, tha se: “Unë po ju them të votoni kundër (Presidentit Trump) sepse ai ka bërë një punë të keqe. Ai harxhon më shumë kohë duke shkruar mesazhe në Twitter se sa duke punuar. Le t’i japim fund këtij kapitulli tërësisht për të ardhur keq në historinë amerikane”.

Natën e mëparshme, mbështetësit e zotit Biden, veçanërisht ish-Presidenti Obama dhe bashkëshortja e tij, ish-zonja e parë Michelle Obama, sulmuan Presidentin Trump si një udhëheqës i dështuar i Shteteve të Bashkuara, ndërsa disa personalitete republikane shprehën gjithashtu mbështetjen e tyre për zotin Biden, përfshirë ish-Guvernatorin e shtetit Ohio, John Kasich dhe ish-Sekretarin i Shtetit, Colin Powell.

Sipas normave politike amerikane, sulmet nga një udhëheqës amerikan ndaj pasardhësit të tij janë të rralla.

Por ish-Presidenti Obama dha një vlerësim të ashpër të Presidentit Trump të mërkurën në mbrëmje, duke thënë se ai “nuk ka treguar interes për trajtimin e presidencës, përveçse si një tjetër shfaqje televizive që ai mund ta përdorë për të marrë vëmendjen që dëshiron”./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!