“Jo vetëm djemtë dhurojnë spektakël”, futbollistja e kombëtares sfidon hapur

schedule08:20 - 18 Shtator, 2020

schedule 08:20 - 18 Shtator, 2020

Një 15-vjeçare që synon të bëhet trajnere futbolli. Kjo është Rigersa Tori, futbollistja e klubit të Kinostudios dhe e Kombëtares Shqiptare U-17. Fjalët i peshojnë shumë, pavarësisht moshës që ka. Shprehja se “futbolli është vetëm për djem” nuk e ka bërë të tërhiqet nga pasioni i saj i madh. Në intervistën e dhënë për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, Rigersa tregon se si e përjetoi momentin kur mori ftesën nga kombëtarja, çfarë e motivon kur merr rezultate negative dhe idhullin e saj në futbollin e femrave.

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll?
– Nuk mendoj se ka futbollist në Shqipëri, i cili nuk e ka nisur karrierën e tij në rrugë. Edhe unë, thuajse si shumica e tyre, kam nisur të luaj futboll në lagje, ku sa herë shokët e mi luanin futboll, aktivizohesha dhe unë, për gati 8 vite. Më pas, arrita të bëhesha pjesë e ekipit të Kinostudios, me të cilin luaj edhe tani. Ëndrra që kisha për të qenë pjesë e një ekipi futbolli, m’u bë realitet, falë edhe mbështetjes së familjes time.

– Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?
– Njeriu i parë që më afroi dhe besoi tek unë është futbollistja e kombëtares, Cyme Lulaj, e cila është edhe kapitene dhe në të njëjtën kohë zv.trajnere e ekipit të Kinostudios. Unë aktivizohesha në një grup futbolli në lagje dhe kishim organizuar një ndeshje miqësore me ekipin e Kinostudios. Aty u njoha me Cymen, e cila pa që unë kisha talent dhe më ftoi të bëhesha pjesë e ekipit ku ajo luante dhe trajnonte. Që prej asaj dite, ajo më ka mbështetur dhe vazhdon e më mbështet.

– Si është marrëdhënia jote me grupin dhe trajnerin?
– Marrëdhënia ime me grupin dhe trajnerët, si në kombëtare ashtu edhe në klub është mjaft e mirë dhe falë mbështetjes së palodhur të tyre, kam arritur kaq shumë, krahas edhe moshës së vogël që kam.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja?
– Kam qarë atë ditë kur më erdhi ftesa për t’u bërë pjesë e Kombëtares shqiptare. Asnjëherë mendimet e mia nuk kishin shkuar kaq larg, por i konsideroja thjesht ëndrra, pasi kisha vetëm 5 muaj që luaja me një ekip të Kategorisë Superiore për femra. Di t’ju them që jam stërvitur shumë dhe jam lodhur shumë dhe prandaj e gjithë kjo sakrificë m’u kthye mbrapsht në mënyrën më të bukur të mundshme.

– I rishikon ndeshjet e tua pasi luan? Dhe nëse po, çfarë i thua vetes?
– Ndeshjet e mia i rishikoj dhe vetes i them që mund të bëj akoma edhe më mirë dhe akoma edhe më shumë se ç’mund të kem bërë.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani?
– Momenti më i lumtur në karrierën time ka qenë kur kam shënuar gol kundër KF Teutës. Atë ditë kisha 15 vjetorin e lindjes dhe përveç dhuratave që mora, kapitenia e skuadrës, në shenjë dhurate më vendosi shiritin e kapitenes në krah. Ka qenë një ditë e veçantë, të cilën nuk do ta harroj lehtë.

– Si e motivon veten kur ekipi nuk merr rezultat pozitiv?
– Kur nuk marrim rezultatin për të cilin kemi hyrë në fushë, mundohem që të mos demoralizohem dhe të jap më të mirën time në ndeshjen e ardhshme.

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?
– Dëshira ime e madhe është që të qëndroj në fushën e blertë dhe të mos shkëputem, edhe nëse nuk do të mund të luaj dot më vetë. Synimi kryesor është që të bëhem një trajnere futbolli.

– Cila është këshilla më e vyer që ke marrë dhe nga kush?
– Këshillën më të vyer e kam marrë nga trajneri im, i cili më thotë gjithmonë se me punë dhe me djersë arrihet çdo gjë.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?
– Idhulli im në fakt nuk është një djalë, ashtu sikur mund të jetë idhulli i shumë të tjerëve, por është Cyme Lulaj.

– Çfarë mesazhi i jep vajzave që i thuhet se futbolli është vetëm për djem?
– Duke marrë shkas nga mentaliteti shqiptar, që thotë se futbolli është një sport burrash dhe jo gocash, unë i jap një mesazh shumë të thjeshtë: Mos jetoni me fjalët që thonë të tjerët, se futbolli është një sport që nuk i shkon vajzave. Jo vetëm djemtë mund të dhurojnë spektakël në fushë, por edhe vajzat. Besoni tek aftësitë tuaja, besoni te vetja juaj!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!