Antonio Conte dhe Interi mund të shtrëngojnë duart, pas takimit që trajneri do të ketë të martën me drejtuesit e klubit. Italiani ka pasur pakënaqësi gjatë sezonit të tij të parë në krye të zikaltërve dhe e ka thënë hapur që disa gjëra nuk i kanë pëlqyer. Nëse nuk ndryshojnë, atëherë ai është i gatshëm të ikë.
E gjithë kjo situatë ka sjellë edhe zërat e merkatos, me Max Allegrin që shikohet si kandidati kryesor për të drejtuar skuadrën e Interit. Raporti i tij më Beppe Marotta dihet, pasi kanë bashkëpunuar më parë te Juventusi.
Gjithsesi Allegri nuk është kandidati i vetëm. Në lojë së fundmi është futur edhe Sinisa Mihajloviç. Kështu shkruan Gazzetta dello Sport në Itali. Serbi ka luajtur më parë me Interin, ndërkohë që edhe karrierën si trajner e ka nisur pikërisht te zikaltërit si ndihmës.
Mihajlovic momentalisht është në krye të skuadrës së Bologna, ndërkohë që ka drejtuar edhe Catania, Fiorentina, Sampdoria, Milan, Torino, Sporting Lisbone dhe kombëtaren serbe. /abcnews.al

