“Jo me sytë nga qielli”, Bushati: Çmimi i energjisë duhet rritur gradualisht

schedule13:50 - 9 Nëntor, 2022

schedule 13:50 - 9 Nëntor, 2022

Ish-deputeti i PS dhe ekonomisti Ervin Bushati ka komentuar zgjedhjet dhe politikat buxhetore të kryeministrit Rama duke i cilësuar ato si të balancuara, por ai u shpreh që përsa i përket energjisë elektrike duhet një reformë më e thellë.

I ftuar në studion e ABC Live në një bashkëbisedim me gazetaren Sibora Bitri, Bushati u shpreh që buxheti i vitit 2023 është ‘një moment kyç, dhe është një buxhet i balancuar, me krizat ndërkombëtare, me situatën e post-kovidit, kryefjala në vijim të 2023 do të jetë energjia, asnjë nuk mund të parashikojë sesi do të vazhdojë kriza energjetike, dhe subvencionimi i energjisë do të jetë kryefjala e vitit të ardhshëm’.

Sipas Bushatit ‘kryeministri nuk është Zoti apo Zeusi që të dijë atë që do të ndodhë me energjinë, dhe akoma nuk ka filluar dimri, dhe askush nuk e di akoma sesi do të shkojë situata në Ukrainë, sepse është një nga faktorët kryesorë që ndikojnë në çmimet e energjisë’.

Për ish-deputetin e PS Ervin Bushati, nga pikëpamja ekonomike dhe energjetike, sidomos përsa i përket energjisë elektrike, duhet të hapet një diskutim, por nga ana politike është një shoqëri e traumatizuar, që me tërmetin, pandeminë dhe së fundmi situatën e luftës në Ukrainë.

Për të duhet të ketë një reformë në sistemin e energjisë elektrike, e cila duhet të bëhet sëbashku me Bankën Botërore, sepse asgjë nuk funksionon pa energjinë elektrike.

‘Qeveria nuk duhet të flasë vetëm bardhë e zi, energjia elektrike nuk është si çelësi i dritës, e ndez dhe e fik, dhe qytetarët ta kuptojnë që janë të ndikuar nga kapitalizmi. Duhet të fillohet në mënyrë graduale, çmimet të varen nga tregu, dhe kosto të përafrohet me cmimin. Në të gjithë botën sot, energjia elektrike, subvencionohet nga qeveritë. Energjia nuk vjen nga hiçi, është një mall që paguhet. Duhet që çmimi të përgjigjet me koston, sepse njerëzit e kuptojnë më mirë, nuk e menaxhon qeveria më mirë buxhetin, sesa cmund ta menaxhojnë qytetarët’ u shpreh Bushati./Abcnews.al/