Jimmy Carter: Pse kam frikë mbi fatin e demokracisë amerikane

schedule10:46 - 8 Janar, 2022

schedule 10:46 - 8 Janar, 2022

Nga Jimmy Carter “New York Times

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Një vit më parë, një turmë e dhunshme, e udhëhequr nga disa politikanë të paskrupullt, sulmoi Capitol Hill, dhe thuajse ia doli që të pengonte transferimin demokratik të pushtetit. Katër ish-presidentët e SHBA-së ne që jemi ende gjallë, i dënuam veprimet e tyre dhe e konfirmuam legjitimitetin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Pastaj për pak kohë gjalloi shpresa se ky rebelim do ta nxiste vendin të adresonte seriozisht problemin e polarizimit toksik që e kërcënon demokracinë tonë. Por 1 vit më vonë, promotorët e gënjeshtrës se zgjedhjet u vodhën, kanë uzurpuar një parti politike, dhe kanë ngjallur mosbesim mbi sistemin tonë zgjedhor.

Këto forca ushtrojnë fuqi dhe ndikim nëpërmjet një fushate keq-informuese të pamëshirshme, e cila vazhdon që t’i kthejë amerikanët kundër njëri-tjetrit. Sipas Qendrës së Anketimit për Jetën Amerikane, 36 për qind e amerikanëve -pra gati100 milionë të rritur në të gjithë spektrin politik – bien dakord me konstatimin se “mënyra tradicionale e jetesës amerikane po zhduket aq shpejt, saqë mund të na duhet të përdorim forcën për ta shpëtuar atë”.

Gazeta “The Washington Post”, ka raportuar kohët e fundit se rreth 40 për qind e republikanëve besojnë se një veprim i dhunshëm kundër qeverisë, është ndonjëherë i justifikuar.

Politikanët në shtetin tim të Xhorxhias, por edhe në shtete të tjera, si Teksasi dhe Florida, e kanë shfrytëzuar mosbesimin që kanë nxitur vetë, për të miratuar ligje që u japin më shumë kompetenca legjislaturave partiake që të ndërhyjnë në proceset zgjedhore. Ata kërkojnë që të fitojnë me çdo mjet, dhe shumë amerikanë po binden të mendojnë dhe të veprojnë në të njëjtën mënyrë, duke kërcënuar se do të shembin themelet e sigurisë dhe demokracisë sonë me një shpejtësi marramendëse.

Tani unë druhem se ajo për të cilën kemi luftuar kaq shumë për të arritur në nivel global – e drejta për zgjedhje të lira, të ndershme, dhe pa ndërhyrjen e politikanëve autokratë që nuk kërkojnë asgjë më shumë sesa të rrisin fuqinë e tyre – është bërë rrezikshmërisht shumë e brishtë në SHBA.

Unë e kam hasur personalisht këtë kërcënim në oborrin e shtëpisë sime në vitin 1962, kur një drejtues i komisionit zgjedhor në njëqark që mbushte artificialisht kutitë, u përpoq të vidhte fitoren time në Senatin e Shtetit të Xhorxhias. Unë e padita manipulimin në gjykatë.

Në fund, një gjyqtar e zhvlerësoi rezultatin e rremë dhe unë u shpalla fitues. Më pas, mbrojtja dhe avancimi i demokracisë u bë prioritet për mua. Si president, një nga synimet më madhore ishte vendosja e sundimit të shumicës në Afrikën e Jugut dhe kudo tjetër.

Pasi u largova nga Shtëpia e Bardhë dhe themelova “Carter Center”, punova me miqte e mi për të promovuar zgjedhjet e lira, të drejta dhe të rregullta në të gjithë globin. Kam drejtuar dhjetëra misione vëzhgimi zgjedhjesh në Afrikë, Amerikën Latine dhe Azi, duke filluar me Panamanë në vitin 1989, ku u drejtova administratorëve të zgjedhjeve një pyetje të thjeshtë: “A jeni zyrtarë të ndershëm apo hajdutë?”.

Në çdo proces zgjedhor që kemi vëzhguar, bashkëshortja ime Rosalyn dhe unë u prekëm nga guximi dhe përkushtimi i mijëra qytetarëve që ecnin me kilometra të tërë dhe prisnin në radhë nga muzgu deri në agim për të hedhur votat e tyre të para në zgjedhje të lira, duke ripërtërirë shpresën për veten dhe kombet e tyre, dhe duke hedhur hapat e tyre të parë drejt vetëqeverisjes.

Por unë kam parë gjithashtu se si sistemet e reja demokratike – dhe ndonjëherë edhe ato të konsoliduara – mund të bien në duart e juntave ushtarake apo despotëve të etur për pushtet. Dy shembujt e fundit janë Sudani dhe Mianmari.

Që demokracia amerikane të qëndrojë në këmbë, ne duhet t’u kërkojmë udhëheqësve dhe kandidatëve që të mbështesin idealet e lirisë, dhe t’u përmbahen standardeve të larta të sjelljes. Së pari, ndërsa qytetarët mund të mos bien dakord mbi politika të caktuara, njerëzit

e të gjitha bindjeve politike duhet të pajtohen mbi parimet dhe normat themelore kushtetuese të drejtësisë, civilizimit dhe respektimit të shtetit të së drejtës.

Po ashtu qytetarët duhet të jenë në gjendje të marrin lehtësisht pjesë në procese zgjedhore transparente dhe të sigurta. Pretendimet për parregullsi duhet të dorëzohen me mirëbesim në gjykata, dhe të gjithë pjesëmarrësit në proces duhet të pranojnë vendimin e tyre. Dhe procesi zgjedhor duhet të zhvillohet në mënyrë paqësore, pa frikë dhe dhunë.

Së dyti, ne duhet të ushtrojmë presion për ndërmarrjen e reformave që garantojnë sigurinë dhe qasjen në proceset zgjedhore dhe që sigurojnë besimin e publikut tek saktësia e rezultateve. Pretendimet e rreme për manipulime zgjedhore,vetëm sa i zbehin idealet demokratike.

Së treti, ne duhet t’i rezistojmë polarizimit që po riformëson identitetet tona rreth politikës. Ne duhet të përqendrohemi tek disa të vërteta thelbësore:që të gjithë jemi njerëz, jemi amerikanë dhe kemi shpresa të përbashkëta se komunitetet tona dhe vendi ynë do të zhvillohej më tej.

Ndaj duhet të gjejmë mënyra për t’u ri-angazhuar me njëri-tjetrin përtej ndarjeve partiake, duke pasur respekt dhe duke u sjellë në mënyrë konstruktive, duke zhvilluar biseda të civilizuara me familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët, dhe duke u ngritur kolektivisht ndaj forcave që na përçajnë.

Së katërti, dhuna nuk ka vend në politikën tonë. Ndaj ne duhet të veprojmë me urgjencë për të miratuar ose forcuar ligje për të ndryshuar tendencat e vrasjes së personazheve, frikësimit dhe pranisë së milicive të armatosura në ngjarje të caktuara.

Ne duhet të mbrojmë zyrtarët tanë zgjedhorë – të cilët janë miq dhe fqinjë të besuar të shumë prej nesh – nga kërcënimet që bëhen ndaj tyre. Forcat e zbatimit të ligjit duhet të kenë fuqinë për t’i adresuar këto çështje dhe për t’u angazhuar në përpjekje kombëtare për t’u pajtuar me të kaluarën dhe të tashmen e padrejtësisë racore.

Së fundmi, duhet të adresohet problemi serioz i përhapjes së keq-informatave, sidomos në mediat sociale. Ne duhet t’i reformojmë këto platforma, dhe të kërkojmë gjithmonë informacione të sakta prej tyre. Amerika e korporatave dhe komunitetet fetare, duhet të inkurajojnë respektimin e normave demokratike, pjesëmarrjen në zgjedhje dhe përpjekjet për të luftuar keqinformimin.

Vendi ynë i madh ndodhet në prag të një humnere që po zgjerohet. Pa veprime të menjëhershme, ne jemi realisht të rrezikuar të zhytemi në një luftë civile, dhe të humbim demokracinë tonë të çmuar. Amerikanët duhet të lënë mënjanë dallimet, dhe të punojnë së bashku para se të jetë tepër vonë. /abcnews.al

*Shënim: Jimmy Carter ishte presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara në vitet 1977-1981.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!