Numëron pothuaj një çerek shekulli në gazetari, për të cilën thotë se ishte një zgjedhje rastësore. Juli Krisafi, gazetare dhe moderatore e lajmeve, së fundi në ABC News, vjen në një rrëfim për karrierën, pasionet, jetën e saj, në studion e Pas Mesnatë.
“24 vite në gazetari, sepse unë nuk e kam nisur me ekranin. Po sa i përket vajzave të reja nuk janë kushtet e njëjta, nuk jetojmë në një njëjtën kohë. Kushtet kanë ndryshuar shume dhe realiteti jonë ka ndryshuar shumë, i gazetarisë. Unë e kam nisur 24 vite më parë në një gazetë të kryeqytetit, gazeta ‘Albania’ në 2001, rastësia që më bëri të njohur dhe vërtetë ka qenë një rastësi, sepse të bëhesha gazetare nuk ka qenë ëndrra ime në sirtar. Kur isha fëmijë kisha ëndërr të bëhesha juriste, sepse xhaxhai im ishte jurist dhe e shikoja atë si model. Nuk u bëra sepse ndodhi kjo rastësi ku u takova me një koleg shumë të cmuar të gazetarisë që mendoi se kisha të dhëna për gazetari dhe më mori te gazeta ‘Albania’, kam qenë vetëm 19 vjec në atë kohë.” – rrëfen ajo.
Pas mesnatat thotë se i kalon me librat, biblioteka e madhe në shtëpinë e saj, e ndihmon të shijojë më së miri, siç shprehet, momentin më të dashur të ditës për të.
“Jam njeri që fle pas mesnate, sepse momenti më i dashur i ditës është kur ndez ambazhurin te koka e krevatit, kam një bibliotekë shumë të madhe në shtëpi, jam rritur me njerëz që lexonin shumë libra, sidomos im atë dhe kështu që momenti më i dashur i ditës është pikërisht aty te koka e krevatit, ndez abazhurin dhe marr një nga ato librat të cilat i lexoj paralelisht, sepse nis disa libra njëkohësisht dhe pas mesnate ky është momenti që më pëlqen më shumë.”
Ndër të tjera, Krisafi ndan edhe emocionet dhe vështirësitë e para të të dalurit në ekran, ndërsa thekson se terreni është i domosdoshëm për gazetarët.
“Dalja ime e parë në ekran ka qenë e tmerrsme në kuptimin që, ka qenë një edicion i orës 12 në edicionin koha dhe nuk e di si e nisa dhe si e përfundova. Kam patur tmerrësisht shumë emocione, më dridheshin këmbët, kisha vapë-ftohtë, për më tepër edicioni ishte në këmbë, megjithatë ia dola. Fillimi ka qenë shumë i lodhshëm, më kujtohet se bëja një emidion mëngjesi për të cilin dilja në 5:00 të mëngjesit nga shtëpia, bëja edhe lajmet e fundit në 22:30 të darkës dhe gjithë ditën isha në terren. Tani që e kujtoj them është energjia e moshës apo kemi patur fuqi të mbinatyrshme, por mendoj se terreni është i domosdoshëm për gazetarët sepse të pasuron shumë.Rruga më e mirë për të shkuar në studio është pikërisht terreni.
Nuk e kam dashur gazetarinë për famë. Oferta për të shkuar në televizionin ‘Koha’ erdhi nga Aleksandër Çipa dhe Enton Abilekaj, të dy në atë kohë punonin në TV Koha. Kisha një dilemë ekzistenciale, sepse nuk kisha bërë 20 vjec, nuk thellohemi shumë në vendimet që marrim, janë vendime që ndikohen nga interesa të momentit dhe nuk është se projektojmë të ardhmen. Dhe mbaj mend kur i kam thënë drejtorit tim në gazetën Albania, Lufti Dervishit, që do të iki te TV Koha, më tha po në televizion, do kesh probleme me privatësinë, etj, e mora këtë mesazh prej tij, por nuk e vrava shumë mendjen. Fama është interesante kur është me masë” rrëfen ajo./abcnews.al