“Shtatë nota në 88 taste për të shprehur emocionet” – kështu mund të përmblidhet filozofia artistike e Elvina Gurrës, pianistes shqiptare që prej vitesh po ndërton me përkushtim një rrugëtim të suksesshëm në skenat ndërkombëtare të muzikës klasike.
Nw studion e Pas Mesnatw, ajo rrwfen se udhëtimi i saj me pianon ka nisur shumë herët, që në moshën 5-vjeçare. E lindur në një familje ku muzika ishte pjesë e ADN-së, Elvina Gurra e kishte thuajse të pamundur t’i shpëtonte artit. “Nuk shpëtoja dot, tre breza me muzikë”, shprehet ajo, duke kujtuar me krenari rrënjët familjare. Një vend të veçantë në këtë histori zë gjyshi i saj, Muharrem Gurra, i cili i ka dedikuar disa këngë dhe ka qenë një nga frymëzimet e para në formimin e saj artistik.
Fëmijëria e një pianisti, siç thekson vetë Elvina, nuk është e zakonshme. Ajo kërkon disiplinë, orë të gjata studimi dhe sakrifica që nisin që në moshë të vogël. Në universin e saj muzikor, një vend të veçantë zë kompozitori polak Fryderyk Chopin. “Kompozitori i zemrës, Chopin, më jep mundësi të shpreh çdo emocion”, rrëfen pianistja.
Elvina Gurra nuk harron të shprehë mirënjohjen për mësueset që kanë ndikuar thellësisht në formimin e saj profesional dhe artistik: Iris Kapo, Nora Çashku dhe Merita Rexhën. Sipas saj, udhëzimi dhe mbështetja e tyre kanë qenë thelbësore në ndërtimin e identitetit të saj si pianiste. Së fundmi, ajo veçon edhe bashkëpunimin me balerinin dhe koreografin e njohur Eno Peçi, të cilin e cilëson si unik – një takim artistik ku muzika dhe lëvizja krijojnë një dialog të veçantë në skenë./abcnews.al


