Jeta mund të ekzistojë në planetin që rrotullohet rreth yllit të “xhuxhit të bardhë”

schedule05:07 - 12 Shkurt, 2022

schedule 05:07 - 12 Shkurt, 2022

Studiuesit besojnë se mund të ketë një planet që mund të mbajë jetë, në afërsi të një dielli që po vdes. Nëse konfirmohet, kjo do të ishte hera e parë që një planet potencialisht mbështetës i jetës është gjetur në orbitën e një ylli të tillë të quajtur “xhuxhi i bardhë”. Planeti u zbulua në “zonën e banueshme” të yllit, ku nuk është as shumë ftohtë dhe as shumë nxehtë për të mbajtur jetën.

Studimi është publikuar në njoftimet mujore të “Shoqërisë Mbretërore Astronomike”. Profesori Jay Farihi nga Universiteti i Kolegjit të Londrës, i cili drejtoi studimin tha se vëzhgimi ishte krejtësisht i ri për astronomët. “Kjo është hera e parë që diçka është parë në zonën e banueshme të një xhuxhi të bardhë dhe kështu ekziston mundësia që një jetë në një botë tjetër të rrotullohet rreth tij,” tha ai për “BBC News”.

Ndërsa yjet shumë të mëdhenj bëhen vrima të zeza kur vdesin, yjet më të vegjël si Dielli ynë bëhen xhuxhë të bardhë që janë yje që kanë përdorur të gjithë karburantin e tyre bërthamor dhe kanë humbur shtresat e tyre të jashtme. Zakonisht kanë madhësinë e një planeti dhe lëshojnë një dritë të bardhë kaltëroshe kur formohen për herë të pare. Planeti i mundshëm, i cili është 117 vite dritë larg nga Toka, mendohet të jetë 60 herë më afër yllit sesa planeti ynë me Diellin raporton gazetari Pallab Ghosh i “BBC-së”.

Ekipi hulumtues nuk ka prova të drejtpërdrejta të ekzistencës së planetit, por lëvizjet e 65 strukturave të madhësisë së Hënës që rrotullohen rreth zonës së banueshme të xhuxhit të bardhë, sugjerojnë se ai është atje. Distanca e strukturave në raport me njëra-tjetrën nuk ndryshon, duke sugjeruar se ato janë nën ndikimin e gravitetit të një planeti në afërsi. “Ishte një tronditje për ekipin,” tha profesori Farihi. “Lëvizja ishte aq e frikshme e saktë sa nuk mund t’i shpikje dot këto gjëra”.

Zona e banueshme është një brez rreth yllit ku uji i lëngshëm mund të ekzistojë në një planet dhe për këtë arsye të mbështesë jetën. Shpesh quhet “zona e Goldilocks”, sepse nëse planeti është shumë afër yllit do të jetë shumë i nxehtë dhe nëse shumë larg do të ishte shumë i ftohtë, ndërsa brenda brezit kushtet janë “të duhura”. Rezultatet duhet të veprojnë si një nxitje për astronomët që të kërkojnë në mënyrë aktive prova të drejtpërdrejta të planetëve rreth xhuxhëve të bardhë. / abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!