Në lidhje direkte nga New York-u për ABC e Mëngjesit, ekonomisti dhe ish-futbollisti Armend Shemsiu rrëfeu një histori prekësë, një histori force, frike, shprese dhe rilindjeje.
“Isha vetëm 27 vjeç kur nisën problemet e para me zemrën”, tregon Armendi. Në atë kohë ishte futbollist aktiv, në formë të shkëlqyer fizike, pa asnjë ves: as cigare, as alkool. Asgjë nuk paralajmëronte atë që do të vinte. Një ditë ndeshjeje, një mbrëmje ku nuk u ndje mirë dhe një udhëtim urgjent drejt spitalit do t’i ndryshonin jetën përgjithmonë.
Mjekët zbuluan se një virus kishte prekur drejtpërdrejt zemrën. Diagnoza: miokardit. Nisën kurat dhe terapitë, por shëndeti i tij nuk u kthye më si më parë. Për vite me radhë, Armendi jetoi mes shpresës dhe pasigurisë, derisa rruga e jetës e çoi drejt Shteteve të Bashkuara, falë bashkëshortes së tij dhe bashkimit familjar.
“Këtu nisi vërtet kura ime. Po të kisha qëndruar në Maqedoni apo Shqipëri, nuk mendoj se do kisha shpëtuar”, shprehet ai me sinqeritet. Në Amerikë, mjekësia funksionon ndryshe. Fillimisht iu vendos një defibrilator për ta mbajtur në jetë. Por edhe ai aparat, që supozohej të zgjaste 7 vite, një ditë i dha një goditje të fortë që e rrëzoi përtokë.
“Mora një ‘shembje’. Nuk kam fjetur tre muaj nga frika”, kujton Armendi. Pas një tjetër operacioni 4-orësh, mjekët e thanë qartë: trupi i tij kishte nevojë për një zemër të re.
Operacioni zgjati 14 orë. Një ndërhyrje jashtëzakonisht e vështirë, sidomos për një trup që kishte kaluar tashmë disa operacione. Por mrekullia ndodhi. Vetëm 5 ditë pas transplantit, Armendi ndjeu se po rilindte.
“Kur më thanë se ishte gjetur një zemër e re, u habita. Në vetëm pak ditë do të isha një njeri tjetër.”
Zemra e re erdhi përmes një organizate dhurimi organesh. Identiteti i dhuruesit mbetet ende i panjohur për të. “Nuk jam ende gati të di kush ishte. As moshën, as profesionin. Ekzistojnë protokolle strikte dhe gjithçka bëhet përmes organizatës,” shpjegon ai.

