Nga Avi Loeb
Jeta inteligjente mund të jetë jashtëzakonisht e rrallë në Universin tonë, thotë profesori i Shkencave Astrofizike të Universitetit Prinston, Ed Tërner. Kjo pikëpamje nuk është befasuese, pasi jeta inteligjente është e rrallë edhe në Tokë. Ndaj shtrirja e këtij propozimi në shkallë kozmike duket e besueshme.
Në një konferencë të fundit të Projektit Galileo, Tërner u ndal tek çështja se sa të veçantë mund të jemi ne njerëzit. Unë nuk munda të rezistoj pa pyetur: “A të bëjnë fetar këto argumente?”. Ekzistojnë 2 mënyra për ta interpretuar ekzistencën tonë si qenie të ndjeshme.
Pikëpamja materialiste e konsideron vetëdijen si një fenomen me origjinë nga “supa fillestare” e kimikateve që përshkuan Tokën në fazat e hershme të krijimit të saj. U deshën 4.5 miliardë vjet që përzgjedhja natyrore të krijonte Homo Sapiens disa milionë vjet më parë, dhe brenda 1 miliardë vjetësh nga tani Dielli do të avullojë të gjithë ujin e lëngshëm në Tokë.
Thënë këtë, ekzistenca jonë në këtë planet mund të jetë përsëritur në mënyrë të vazhdueshme edhe në planetë të tjerë gjatë 13.8 miliardë viteve të fundit që nga Big Bengu.
Mos harroni se numri i planeteve me madhësinë e Tokës në zonën e banueshme rreth një ylli të ngjashëm me Diellin, është të paktën 10 në fuqinë e 31. Ndërkohë numri i planetëve të banueshëm në hapësirë, shtrihet në një rajon 4000 herë më larg horizontit të vëzhgueshëm të Universit.
Parimi i mediokritetit (zakonshmërisë) i bën jehonë Parimit të Kopernikut. Pra që Toka nuk është në qendër të universit, dhe që ne si vëzhgues nuk jemi të privilegjuar. Inteligjenca u shfaq në 1/5 e fundit të jetës së Tokës si një planet i banueshëm. Por kjo gjë nuk na bën domosdoshmërisht të rrallë, duke pasur parasysh se shumica e yjeve u formuan miliarda vjet përpara Diellit.
Ashtu si me kompozitorin Volfgang Amadeus Mozart, i cili vdiq para kohe, pak para se të mbushte 36 vjeç, qytetërimet më të përparuara jashtëtokësore mund të kenë vdekur në kohën kur ne arritëm jetëgjatësinë e tyre teknologjike dhe po përpiqemi të riprodhojmë arritjet e tyre mahnitëse.
Kërkimi i sinjaleve të tyre të radios, duke i bërë jehonë hapave tanë teknologjikë foshnjorë, do të ngjante me një përpjekje joreale për të kontaktuar Mozartin përmes telefonit pas vdekjes së tij. Në vend të kësaj, ne duhet të kërkojmë reliket që lanë pas këto qytetërime, ashtu si notat muzikore të Mozartit.
Në anën tjetër të argumentit, “hipoteza e Tokës së rrallë”, rendit shumë ngjarje dhe rrethana astrofizike të pamundura që nevojiteshin për ekzistencën e jetës tokësore. Kjo hipotezë na bën të ndihemi të veçantë. Por ajo nxit tek ne gjithashtu edhe një ndjenjë përgjegjësie.
Nëse jemi të rrallë në kozmos, atëhërë duhet të garantojmë mbijetesën tonë afatgjatë. Për këtë qëllim, ne mund të dëshirojmë të përhapim kopje të ekzistencës sonë të çmuar diku tjetër në sistemin diellor ose në galaktikën e Rrugës së Qumështit, në mënyrë që ekzistenca jonë të mos jetë e prekshme ndaj një ngjarje katastrofike për planetin tonë.
E çfarë rëndësie ka nëse jemi të zakonshëm apo të veçantë? Është një kërkim shkencor në lidhje me reliket e qytetërimeve teknologjike jashtëtokësore. Siç e di cilido ekspert në këtë fushë, gjetja e diçkaje të tillë kërkon përpjekje dhe burime të mëdha e të vazhdueshme. Duke besuar se jemi unikë, kjo na de–motivon për t`i vazhduar kërkimet. Por pa kërkuar, nuk do ta dimë kurrë nëse jemi vërtet unikë në Univers. Provat shkencore nuk janë të detyruara të përputhen me keqkuptimet tona, sidomos nëse ato janë të nxitura nga një ndjenjë privilegji e pabazuar.
Kërkimi shkencor, buron nga gatishmëria jonë për të pranuar prova, të cilat rrëzojnë bindjet tona të mëparshme. Është detyrimi ynë ndaj titullit “qytetërim inteligjent” që i kemi caktuar vetes, ai që na bën t’i përshtatemi vëzhgimeve agnostike të realitetit, në vend se t’i dorëzohemi një ndjenje të ekzagjeruar të rëndësisë së vetvetes.
Qasja tradicionale e “Kërkimi për Inteligjencën Jashtëtokësore” (SETI) me kërkimin e sinjaleve radio, plotësohet tani nga Projekti Galileo në Universitetin e Harvardit, të cilin e drejtoj unë, programi i parë kërkimor shkencor i financuar privatisht në kërkim të objekteve pranë Tokës, që mund të kenë origjinën nga një qytetërim jashtëtokësor.
Gjetja qoftë edhe e një objekti të vetëm jashtëtokësor, do të mjaftonte për të zgjidhur debatin rreth statusit tonë intelektual në kozmos. Gjetja e një objekti të tillë pas një kërkimi shterues, do të vendoste kufizime në aftësitë teknologjike apo motivimet e kujtdo tjetër atje tej.
Kërkimi për të panjohurën rezonon me spiritualitetin dhe jo vetëm materializmin, sepse ne kurrë nuk e dimë se çfarë mund të gjejmë. Aktualisht, nuk ka asnjë plan që të lidhet me kërkimin e qytetërimeve të tjera. Por mund të imagjinojmë fitime të mëdha nga importimi i teknologjive të panjohura në Tokë.
Edhe kultura jonë mund të përfitojë shumë nga njohuritë e reja shkencore. Por ashtu si mundësitë e kontakteve aliene, ne duhet së pari të investojmë përpjekje dhe burime të mëdha në kërkime. Në konferencë, Tërner paralajmëroi se Projekti Galileo mund të mos gjejë asgjë.
Sipas mendimit tim, duke kërkuar të paktën do të jemi të vetëdijshëm se jemi përpjekur. Çfarëdo që të gjejmë, të mësuarit nga përvoja na ofron një ndjenjë qëllimi apo kuptimi për jetën tonë. Ne kemi nevojë për një grup të ndryshëm skeptikësh dhe avokatësh në kërkimin e qytetërimeve të mundshme jashtëtokësore, në mënyrë që kur të gjithë të bien dakord, provat e mbledhura të kenë një interpretim të fortë. Kjo është marka tregtare e metodës shkencore.
Shënim: Avi Loeb, është kreu i Projektit Galileo dhe drejtor i Institutit për Teori dhe Llogaritje në Qendrën e Astrofizikës Harvard-Smithsonian. / “The Hill”/