Dokumentari Melania, që tregon jetën e Zonjës së Parë së SHBA-ve, në 20 ditët para se Donald Trump, të merrte (për herë të dytë) detyrën e presidentit, do të shfaqet në kinema amerikane vetëm pas 2 ditësh.
Por ai ka shkaktuar tashmë një stuhi polemikash.
Së pari për koston: Amazon ka paguar 40 milionë dollarë për të drejtat e filmit dhe do të shpenzojë edhe 35 milionë për reklamim, ndërsa pritet që në fundjavën e parë në Amerikë, filmi të fitojë vetëm rreth 2 milionë dollarë. Krahasuar me shpenzimet është shumë pak sepse dokumentari më i suksesshëm i vitit 2024, Am I Racist?, në 3 ditët e para fitoi 4.5 milionë dollarë, ndërsa kishte kushtuar vetëm 3 milionë dollarë.
Trump e ka postuar shpesh filmin në rrjetet sociale,ndërsa së fundmi ka shkruar se “biletat po shiten shpejt”. Teksa parashikohet që nuk do të ketë shumë fitime, fotot me mbishkrime fyese që kalimtarët kanë shkruar mbi posterat e filmit janë bërë tashmë meme në rrjet.
Zgjedhja e regjisorit ka shkaktuar gjithashtu reagime të forta: Brett Ratner nuk ka drejtuar një film që nga viti 2017, kur 6 gra e akuzuan për sjellje të pahijshme seksuale.
Por polemika më e madhe shpërtheu pas shfaqjes speciale për të ftuarit, ku ishin rreth 70 persona, nga Mike Tyson te mbretëresha Rania e Jordanisë. Ngjarja u mbajt të shtunën, 24 janar, në Sallën Lindore të Shtëpisë së Bardhë. Të ftuarit u pritën nga një orkestër ushtarake që luante tema të njohura filmi dhe një këngë. Ata morën edhe dhurata, përfshirë ëmbëlsira me ngjyrë bardh e zi me emrin e zonjës së parë.
Problemi është se ngjarja u mbajt pak orë pas vdekjes së Alex Pretti-t, i vrarë nga disa policë në Minneapolis. Ftesat ishin dërguar prej muajsh, por shumë e panë këtë si moment të gabuar. Shumë amerikanë mendojnë se të ftuarit më të njohur, përfshirë kreun e Apple Tim Cook, atë të Amazon, Andy Jassy (i cili, gjithashtu, ka financuar filmin) dhe presidenten e Bursës së Neë York-ut, Lynn Martin, nuk duhej të shkonin dhe se Trump duhet të kishte anuluar mbrëmjen.
Deputetja demokrate Alexandria Ocasio-Cortez shkroi në rrjet:
Policët vrasin një infermier, sekretarja e Drejtësisë përpiqet të marrë të dhëna të fshehta të zgjedhësve, gjysma e vendit po përballet me krizë për shkak të të ftohtit të ashpër, dhe me çfarë po merret presidenti? Organizon një mbrëmje filmi në Shtëpinë e Bardhë. / abcnews.al /


