Nga Enkeleda Bodini
Shqipëria po përballet me largimin e qytetarëve. Shumë qytetarë dhe veçanërisht të rinjtë duan ta lënë vendin dhe të ikin, për shumë arsye.
Por, nga ana tjetër, shumë të huaj, zgjedhin të vijnë dhe të jetojnë këtu. Një prej tyre është dhe Tinga Ëang, një vajzë nga Shanghai, e cila shumë vite më parë u njoh me një djalë shqiptar dhe dashuria e solli në Shqipëri.
Sot, abcnews.al do ju njohë me historinë e saj dhe jetën në Tiranë.
Tinga është lindur në Shanghai dhe është binjake me një motër. Fëmijëria e saj ka qenë e bukur, sepse kishte një motër, ndërkohë, fëmijët e tjerë ishin të vetëm, sepse lindja e më shumë se një fëmije, atë kohë, ishte e ndaluar me ligj. Tinga tregon për abcnews.al, se të gjithë që i shihnin më rrugë, ndalonin dhe thonin “oh shiko, binjake”, që herë ishte diçka e bukur e shpesh bëhej bezdisëse.
Me kalimin e viteve, Tinga mori drejtimin e saj në jetë, dhe motra po ashtu.
Tinga nisi universitetin në Shanghai University, për Telekomunikacion. Gjatë kësaj periudhe, për rastësi, njohu Aurelin, një djalë shqiptar që po shkollohej në Kinë. Fati i takoi për të mos i ndarë më.
Tinga dhe Aureli u njohën në dyert e universitetit dhe pas 4 vitesh u martuan në Shanghai dhe lindën një vajzë.
Pas lindjes së vajzës ata vendosën të ktheheshin dhe të jetonin në Shqipëri.
Për Tingën nuk ishte një vendim i thjeshtë, por ndonjëherë dashuria të bën edhe të sakrifikosh. Ajo la punën si inxhinere në radio dhe televizon në Oriental Pearl TV Tower dhe së bashku me bashkëshortin dhe të bijën 8 muajshe u nisën për në Shqipëri.
Në fillim ishte pak e vështirë, por Tinga u shpreh se është natyrë që përshtatet shpejt me ambientet e reja.
“Kur erdhëm kemi jetuar me prindërit e burrit në Durrës, për 3 vite. Pas lindjes së djalit vendos të vinim të jetonim në Tiranë. Sërish jetuan bashkë me prindërit e Aurelit një vit, pastaj u ndamë në apartamente të ndryshme, por jemi shumë afër. Me kulturën u përshtata shpejt, por ajo që më bëri shumë përshtypje ishte jeta e ngadaltë, ku njerëzit kishin shumë kohë, sidomos për të pirë kafe. Në Kinë nuk e kemi zakon të pimë kafe në mëngjes. Jemi shumë të zënë dhe gjithmonë duke vrapuar”, tha ajo për abcnews.al.
Ajo që Tingës i pëlqen në Shqipëri, është klima e mirë dhe ushqimi.
“Shqipëria është me fat që ka nje klime kaq të mirë, ndryshe nga Shanghai që është shumë lagështirë. Gjithashtu, këtu ushqimi është i shkëlqyer, ka shumë fruta dhe janë të lira”.
Shanghai ku Tinga ka lindur dhe është rritur, është një vend me shumë popullsi, dhe kur ajo ka ardhur në Tiranë, i ka pëlqyer fakti se këtu ka më pak njerëz, edhe pse për ne jetojmë çdo ditë këtu, na duken shumë.
Dita e saj është gjithmonë e zënë. Përveç rolit si nënë, ku duhet të kujdeset dhe të edukojë dy fëmijët, ajo punon në biznesin e bashkëshortit të saj si përkthyese, në Elbasan.
Largimin nga Shqipëria nuk e mendon. Tinga tha se nuk kanë ndërmend të largohen nga Shqipëria.
“Do rri këtu sepse kam familjen. Nuk do të largohemi. Kemi punën këtu dhe nuk mund të zhvendosemi në Kinë. Unë jam mësuar të jetoj në Shqipëri. Me pëlqen jeta këtu”, tha ajo për abcnews.al.
Tinga ka dhe një mesazh për të gjithë shqiptarët që duan të largohen nga Shqipëria. Ajo u bëri thirrje të qëndrojnë këtu, të bëhen bashkë dhe të bashkëpunojnë që ta bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë dhe më të bukur.
“Ju mund të mendoni se këtu nuk ka shumë mundësi të gjeni punë, por unë kam parë që ndërtimi po zhvillohet shumë që do të thotë, do keni shumë mundësi të gjeni punë. Nëse ju mendoni se do të gjeni punë më të mirë jashtë shtetit, jeni gabim, sepse ju mund të gjeni të njëjtën punë në vendin tuaj dhe jeni më afër me familjen tuaj. Prandaj, shqiptarë, ju duhet të qëndroni bashkë dhe të bashkëpunoni që të bëni shtetin tuaj më të mirë dhe më të bukur”, u shpreh Tinga./abcnews.al