Jeta dhe fati i liderit të Wagner

schedule11:46 - 31 Gusht, 2023

schedule 11:46 - 31 Gusht, 2023

Nëse do të kishte një person që e njihte Më mirë presidentin rus, ishte ai, ish i dënuari dhe ish-shitësi i hot dogëve, i cili u rrit gjithashtu në rrugicat e Shën Petersburgut kaq të rëndësishëm për formimin personal të Carit, të cilit i detyrohej gjithçka.

Prandaj ai e dinte se kishte njëfarë të vërtete në atë që vëzhguesit rusë dhe perëndimorë pohuan në unison, në marrëveshje, secili me formula të ndryshme, duke i dhënë atij edhe pak kohë në liri ose në jetë.

Mediat më të afërta me Kremlinin bënë thirrje për “dënime shembullore”, emisionet propagandistike të cilat disa muaj më parë lavdëronin “pushtuesin e Bakhmutit”, tashmë i portretizonin atë dhe njerëzit e tij si tradhëtarë, ose një “biznesmen me të kaluar kriminale, një biznesmen në hije” duke ngritur pyetjen, pse ai ishte ende i lirë.

“Prigozhinit dhe udhëheqësve të Wagnerit duhet t’u pritet koka,” thoshte deputeti i Rusisë së Bashkuar Andrey Gurulyov, një ish-ushtar i konsideruar besnik i presidentit.

Të gjithë në Rusi e dinin se Putini nuk mund të anashkalonte kurrë një gjë si ajo që kishte vuajtur para syve të gjithë botës.

Nuk do i shkonte imazhit të tij si Car, si një njeri që nuk lë punë të papërfunduar, si një lider që vendos dhe që nuk bën kompromise nga frika, si ai që dukej se kishte firmosur me Prigozhinin për të ndaluar ushtrinë e tij dyqind kilometra nga Moska.

Historia e vonë e Rusisë duhet t’i kishte mësuar diçka. Por ndoshta komandanti i Wagnerit besoi tek vetja, dhe tek ajo çfarë mbeti nga lidhja e tij me Putinin.

Sapo hyri në moshë, ai u arrestua për krim të organizuar, vjedhje, mashtrim dhe shfrytëzim prostitucioni të të miturve.

Hyri në burg në 1982 kur Leonid Brezhnevi ishte ende gjallë, doli në vitin 1990 kur Bashkimi Sovjetik ihste në prag të kolapsit. Rusët i kujtojnë si vitet e tmerrshme vitet ’90, por për njerëz si ai ato ishin një mundësi.

Filloi në një kioskë hot-dogësh. Pesë vjet më vonë, me fonde ende të panjohura, themeloi vetë kompaninë e restoranteve Concord, e cila do të mbetet gjithmonë guri i themelit të mbretërimit të tij, duke hapur një restorant ku darkonin dhe drekonin kryetari i bashkisë së Shën Petersburgut Anatoly Sobchak dhe zëvendësi i tij, një i ri me emrin Vladimir Putin.

Kur ky i fundit u bë kreu i qeverisë dhe më pas president, restorantet e Prigozhinit u zgjodhën për darkat zyrtare me krerët e shteteve të huaja, që nga Zhak Shirak e deri te Xhorxh Bush.

Thuhet se Putini e ka vlerësuar faktin që Prigozhini shpesh shërbente në tavolina personalisht. Fakti është se në vitin 2009 Concord mori kontratën për mensat shkollore të qyteteve më të mëdha ruse, dhe tre vjet më vonë atë ekskluzive për furnizimin me ushqim të Ushtrisë e Kuqe. Miliarda rubla, dhe pseudonimi “kuzhinieri i Putinit”.

Në verë të 2014, gjatë pushtimit të Donbasit, ai i kërkon Ministrisë së Mbrojtjes tokë për stërvitjen e “vullnetarëve” pa lidhje me ushtrinë zyrtare, por të etur për të dhënë kontributin e tyre për atdheun kudo që ka një skenar lufte.

Milicia e porsalindur do të quhet Wagner.

Është pseudonimi që i është vënë komandantit të saj të parë, Dmitry Utkin, njeriu që është konsideruar gjithmonë shpirti i grupit, ideologu që jepte shpërblime dhe ndëshkime mizore, ish oficeri i Forcave Speciale që u transferua në sektorin privat, një nazist i cili deklaroi se dy muaj më parë ishte kthyer nga një lloj pensioni për të drejtuar personalisht të ashtuquajturin Marshimi për Drejtësi.

Ndodhej edhe ai në aeroplanin që u rrëzua në zonën e Tverit. Dhe nëse vdekja e një njeriu të frikshëm, por të padashur si Prigozhini ka një vlerë të madhe simbolike në sytë e Perëndimit, ajo e Utkinit mund të ketë pasoja më të mëdha brenda Rusisë, sepse ndër ultranacionalistët më fanatikë emri i tij ishte vërtet një legjendë.

Këto tetëmbëdhjetë muaj luftë ishin fatale për Prigozhinin. I ka jetuar gjithmonë në publik, si për të pretenduar një rol që e ndjente se i takonte. Në fillim, pak njerëz brenda dhe jashtë vendit parashikuan një përballje kaq brutale.

Por më në fund u bë e qartë se hesapet do laheshin gjithsesi. Putini kishte vendosur të shkatërronte Wagnerin.

Më 23 qershor, Prigozhini u nis drejt Moskës, duke sfiduar Carin e tij në publik, duke e bërë atë të duket i dobët jo vetëm në sytë e botës, por edhe të popullit të tij, gjë që është shumë më serioze dhe e pafalshme.

Ajo që ndodhi mes asaj kohe dhe ditës së djeshme ka pak rëndësi. Ishte thjesht çështje kohe.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!