Raul Castro ka thënë dorëheqjen nha posti i kryetarit të Partisë Komuniste në Kubë, duke i dhënë kështu fund një epoke të udhëheqjes zyrtare që filloi me vëllain e tij Fidel dhe revolucionin në vitin 1950, informon abcnews.al.
89-vjeçari njoftoi dorëheqjen në një fjalim në hapjen e kongresit të 8-të të partisë në pushtet.
Castro tha se po dilte në pension me ndjenjën e përmbushjes së misionit të tij.
“Asgjë, asgjë, asgjë nuk më ka detyruar të marr këtë vendim. Për sa kohë unë jetoj, do të jem gati për të mbrojtur atdheun, revolucionin dhe socializmin me më shumë forcë se kurrë”, tha Castro gjatë fjalimit të tij në Kongres, që u transmetua në televizionin kombëtar.
Dalja e tij në pension do të thotë që për herë të parë në më shumë se 6 dekada, kubanët nuk do të kenë një Castro që drejton zyrtarisht punët e tyre, dhe shumë e kishin pritur këtë ndryshim.
Castro nuk tha se kë do të mbështeste si pasardhësin e tij si sekretar i parë i Partisë Komuniste. Por ai më parë tregoi se favorizon dhënien e kontrollit 60-vjeçarit Miguel Diaz-Canel, i cili e pasoi atë si president në 2018-ën dhe është bartësi standard i një brezi të ri besnikësh që kanë shtyrë një hapje ekonomike pa prekur sistemin një partiak të Kubës./e.b-abcnews.al