Parlamenti rrëzoi sot (9 qershor) kërkesën e grupit parlamentar të PD-së për ngritjen e Komisionit Hetimor për investimet strategjike.
Në lidhje me këtë deputeti i PD-së Gazmend Bardhi tha se kërkesa për ngritjen e Komisionit Hetimor u rrezua me pretendimin se u tërhoq Agron Duka, gjë që sipas Bardhit është në kundërshtim të plotë me ligjin.
Bardhi akuzon mazhorancën se është mësuar të falsifikojë forma, duke thënë se opozita nuk do ta lejojë këtë gjë dhe se do të bëjë transparencën e plotë sa i përket investimeve strategjike.
“Kërkesa për ngritjen e Komisionit Hetimor u rrëzua me pretendimin se Duka u tërhoq. Kjo është në kundërshtim flagrant me ligjin. Mjaftojnë 5 firma të deputetëve që kërkesa për Komision hetimor të shqyrtohen. Nuk nevojiten 35 firma që kërkesa të vijë në seancë dhe të shqyrtohet.
Në datën 27 kemi paraqitur një kërkesë ku sqarojmë se pasi jemi njohur me tërheqjen e firmës nga Deputeti Agron Duka, kemi bërë korrigjimin dhe kemi ridepozituar një kërkesë të 36 deputetëve sipas rregullores së Kuvendit. Kryeministri tha harrojeni se ngremë Komision hetimor për investime strategjike, shqiptarët duhet të dinë arsyen, përse e bllokojnë. Se pari një nga deputetët rrezikon të shkojë në burg. Bashkëshorti i saj ka përfituar statusin investitor strategjik.
Pasuritë publike janë kthyer në plaçkë. Me shqiptarët duhet të jeni të ndershëm. Keni kërkesë me 36 firma dhe thoni është e falsifikuar.
Ju jeni mësuar të falsifikoni procedura. Ju këtu jeni për ti shërbyer Olta Xhaçkës dhe disa personave të tjerë që përfitojnë pa garë dhe në mënyrë korruptive. Opozita do ta bëjë transparencën e plotë sa i përket investimeve strategjike”, tha Bardhi.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi më 24 maj kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për investimet strategjike.
Por nisma mbeti në mes për shkak se për të ngritur një komision hetimor duhen 35 firma dhe grupi i PD-së, megjithëse e kishte protokolluar kërkesën me numrin e duhur të firmave, Agron Duka u tërhoq, duke e lënë dokumentin me 34 firma.
Më 27 maj, Grupi Parlamentar ridepozitoi të korrigjuar kërkesën me nënshkrimet e jo më pak se 35 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, pas tërheqjes Dukës.
Por, kjo kërkesë u rrëzua sot (9 qershor) në seancën parlamentare në Kuvend./abcnews.al/