“Jemi zhytur në borxhe”, naftëtari: Si rrezikova jetën gjatë grevës, pa uzinën s’kemi të ardhme

schedule20:51 - 25 Maj, 2021

schedule 20:51 - 25 Maj, 2021

Emisioni VETTING

Pas çdo numri në listën e gjatë të naftëtarëve që kanë fituar të drejtën për të marrë pagat e prapambetura përgjatë viteve 2015-2016, është një kryefamiljar në pritje të zbatimit të urdhrit të Gjykatës së Tiranës. Aleksandër Mejdani, e mban të freskët në memorie vendimin nr.7310 të 3 viteve më parë. Tregon se është i 93-ti në listën e naftëtarëve kreditorë që e kanë fituar çështjen.

Sipas Gjykatës, “ARMO” duhet t’i shlyente afro 1 milion e 40 mijë lekë të reja. Ndërkohë që bashkë me kolegët pret zbatimin e vendimit, atij i duhet të mendojë si të përballojë nevojat bazike të jetesës. 40 mijë lekshi i ofruar si zgjidhje afatshkurtër , nuk i mbulon kostot e shpenzimeve familjare. Ndonëse invalid prej një aksidenti në hekurudhë, ai ka punuar për 20 vite në uzinë si termoizolues, duke rrezikuar jetën edhe duke u ngjitur në kolona me lartësi 87 m. E gjitha për të krijuar një strehëz të ngrohtë për bashkëshorten e tre vajzat e tij, në një shtëpi të cilën ende nuk e ka shlyer.

Pavarësisht vështirësive fizike, Mejdani ka qenë në ballë të të gjitha protestave e grevave që naftëtarët kanë mbajtur ndër vite, në të cilat, në tetorin e vitit që lamë pas, u përfshinë edhe gratë. Siç tregon, kjo ka qenë e vetmja mënyrë për tu dëgjuar, për vonesat e mohimin e të drejtës së pagës, si dhe lënien në mëshirë të fatit nga strukturat shtetërore. Ai rrëfen se në shkurt të vitit 2020 desh rrezikoi jetën në grevën që mbajtën me 9 kolegë të tjerë në ambientet e uzinës.

Si Mejdani, për të mos i lënë të vetëm shokët në këto greva, sakrifica jetike kanë bërë edhe të tjerë naftëtarë. I tillë qe rasti i Artan Voshtinës, i cili u nda nga jeta në 23 shkurt të vitit 2020, fill pas kthimit nga tubimi në qendër të Ballshit. Ai ka lënë pas dy fëmijë e bashkëshorten. Me rregullimet aktuale ligjore gjasat që ata të marrin pagat e prapambetura të familjarit në uzinë janë minimale. Ka 13 vite që naftëtarët e Ballshit gjenden në këtë labirint privatizimi, ku administratorët largohen të pasur, duke ia lënë “ARMO-n” në prag falimenti,  kreditorëve e përmbaruesve të radhës.  Atyre, u mbeten për të larë hesapet me papunësinë, varfërinë, taksat e borxhet që presin të shlyhen. Përveç rifillimit të punës në uzinë, nuk gjejnë zgjidhje tjetër.

………………………………….

Ky investigim është prodhuar në kuadër të suportit financiar të dhënë nga projekti Investigative Network Albania (INA), një iniciativë e përbashkët e @Albania Quality Journalism, @Albanian Media Institute / Instituti Shqiptar i Medias dhe @Qendra Fol, mbështetur nga @U.S. Embassy-Tirana, e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të gazetarisë hulumtuese në nivel lokal dhe kombëtar.

/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!