“Jemi patriotë vetëm për festa dhe kur luan Kombëtarja”, Bes Kallaku: Kushdo që flet shqip, është vëllai yt

schedule20:47 - 28 Nëntor, 2021

schedule 20:47 - 28 Nëntor, 2021

Puntata e radhës e Kosheres ka nisur me editorialin e Bes Kallakut. Duke marrë shkas dhe nga festat e Nëntorit, aktori i humorit ka dhënë dhe një mesazh të fortë për të gjithë shqiptarët. Besi thotë se nuk duhet të sillemi si patriotë vetëm për raste festash por duhet të jemi pranë njëri-tjetrit në çdo kohë.

“Mbi të gjitha t’ju mësojmë brezave që do të vijnë se nuk ka si Shqipëria dhe kudo ku flitet shqip, dhe kushdo që flet shqip është vllai yt dhe nuk ka pasuri më të madhe në këtë vend sesa gjuha shqipe.”, thotë ai ndërsa citon dhe disa vargje nga poezia e Gjergj Fishtës, Shqypnia.

Fjala e tij

“Përulje për çdokënd që ka sakrifikuar veten, gjakun e tij pikërisht për këtë datë. Në Nëntor gjithë Shqipëria skuqet, sidomos institucionet dhe e di se sa lekë harxhojmë, i marrim të gjithë mbetjet e vitit të kaluar, zbukurimet i vendosim prapë nëpër institucione dhe vetëm ndryshojmë 8 e bëjnë 9. Këto ditë nisin fjalimet e politikanëve a thua se secili prej tyre ka merita kryesore që ne jemi çliruar sot. Kush të dalë i pari, kush të flasë më bukur, kush e do më shumë atdheun dhe pikërisht në këtë ditë kur të gjithë politikanët e festojnë ndarazi.

Njëri në Vlorë, tjetri në Tiranë dhe tjetri në Durrës mos me i parë surratin njëri-tjetrit. Dhe festën e kemi të ndarë, një palë e feston me 28 dhe pala tjetër e feston me 29. Ne kërkojmë unitet por këto politikanët tanë edhe një kongres partie që kanë, e kanë ndarë në dy data, një me datë 11 dhe tjetri me datë 18 Dhjetor. Në fakt, si e feston populli. Ne mbajmë ankthin, stresin ama gëzimin e tepërt nuk e përballojmë dot. Kur jemi në kulmin e gëzimit, çirremi, bërtasim po pikërisht në atë moment, kërcet grushti me njëri-tjetrin.

Kaq e vështirë është të bashkohemi të gjithë dhe të kemi një unitet jo vetëm në raste festash ose kur luan Kombëtarja. Jemi i vetmi vend në botë që kemi dy përfaqësues, të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe jo një kombëtare të vetme. Për të dy shtetet dhe për të njëjtin komb. Mbi të gjitha t’ju mësojmë brezave që do të vijnë se nuk ka si Shqipëria dhe kudo ku flitet shqip, dhe kushdo që flet shqip është vëllai yt dhe nuk ka pasuri më të madhe në këtë vend sesa gjuha shqipe.

Për ta mbyllur me disa vargje të Fishtës

Kaq të bukur, kaq të hieshme
Perëndija t’ fali i Amshueshëm,
Sa ‘dhe deka asht për tý e shieshme:
N’ gjí t’ and vorri âsht i lakmueshëm…
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká !
Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Për jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera.

/abcnews.al