“Jemi pa bukë”, punonjësit e inceneratorit në Elbasan, 2 muaj pa rroga: Na bëjnë presion me heqje nga puna

schedule14:01 - 17 Shkurt, 2022

schedule 14:01 - 17 Shkurt, 2022

Më shumë se 30 punonjës të inceneratorit të Elbasanit u ngritën sot në protestë me pretendimin se kanë dy muaj pa marrë pagat.

Punonjësit e sektorit të riciklimit pohojnë  se mos marrja e rrogave në kohë i ka dëmtuar, pasi ata vijnë nga familje me probleme të shumta sociale e ekonomike.

“Jam vetë i 8-të në shtëpi. Këta thonë nuk e dimë, do ndahet sot, apo  do ndahet nesër rroga. Se çfarë do bëhet nuk dimë gjë. Kemi dalë në rrugë sepse kemi dy muaj pa marrë rrogat. Përgjegjësi na thotë se do i marrim rrogat, edhe kemi ndenjur me shpresa”, u shpreh njëri prej punonjësve.

“Jam pa bukë sot”, tha një protestues, duke pohuar se eprorët e kompanisë u bëjnë presion se nëse vazhdojnë protestën, do i pushojnë nga puna.

“Kemi dy muaj, punojmë natë e ditë. Ku i çojnë  paratë e bidonëve  që mbledhim që në katër të mëngjesit aty. Jam pa bukë sot, tjetri kërkon lekët e qirasë. Madje na bëjnë presion, nëse dalim në protestë do na heqin nga puna. Ne kërkojmë të drejtën tonë.  Kemi frikë për penalitete, por po dalim nga e keqja. Duam rrogat tona dhe pse nuk jemi paguar kemi punuar rregullisht.”

Ndonëse pohuan se nëse nuk gjejnë zgjidhje do të kalojnë në grevë urie, abc.news mëson se mjaftoi një apel nga një përfaqësi e administratës, me konotacion kritikues, që punonjësit të hiqnin dorë nga protesta.

Ndërkohë një javë më parë anëtarët e komisionit hetimor parlamentar për inceneratorët zbarkuan në impiantin e mbetjeve në Elbasan, ku deklaruan se ky impiant nuk i ka pastruar mbetjet por e ka shtuar ndotjen për shkak se kontrata nuk ka parashikuar eleminimin e hireve të rrezikshme të inceneratorit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!