“Jemi në fazë të re”/ Raporti i TI, Rama: Shqipëria në pozicionin më të mirë për luftën kundër korrupsionit

schedule08:47 - 11 Shkurt, 2025

schedule 08:47 - 11 Shkurt, 2025

Kryeministri Edi Rama thotë se sipas raportit të Transparency International (TI), Shqipëria ka përparim në luftën kundër korrupsionit.

Përmes një komunikimi me ndjekësit në rrjetet sociale, Rama u shpreh se jemi në një fazë të re dhe po ndërmerren hapa kundër korrupsionit.

“Transparency International ka nxjerr raportin e vet vjetor ku Shqipëria ka një pozicion me 5 pikë plus ka përparimin më të madh nga gjithë vendet e tjera dhe bashkë me Kosovën janë të dyja vendet që kanë përparim. Ndërkohë që vendet e tjera në rajon janë me rënie dhe Mali i Zi ishte aty ku ishte vjet dhe sot në raportin për korrupsionin të Transparency International që është një raport global Shqipëria ka pozicionin më të mirë që ka pasur ndonjëherë. Pra “çuditërisht” edhe Transparency International vlerëson luftën që po bën Shqipëria kundër korrupsionit, përparimin në betejën me korrupsionin dhe hapat që po hidhen në këtë drejtim. Hapa, të cilat tregojnë se tanimë jemi në një fazë tërësisht të re dhe se e gjithë kjo, “bla, bla, bla, kua, kua, kuaja”, “korrupsion, korrupsion, korrupsion, korrupsion” është shumë më tepër një tam-tam propagandistik për arsyet që dihen sesa një jehonë e një realiteti konkret.

Para Transparency International patëm raportin e SIGMA-s. Tani këtyre do t’u referohemi se këta janë ata që punojnë me fakte, që punojnë me të dhëna dhe që nuk kanë axhenda politike, nuk kanë luftëra të brendshme këtu për të bërë dhe nuk kanë ambicie për të marrë vota.

SIGMA na nxori të parët në rajon për Prokurimet Publike, ca do të thotë kjo? Prokurimet më pak të afektuara nga korrupsioni në të gjithë rajonin tonë janë prokurimet që bëhen në Republikën e Shqipërisë dhe me diferencë nga vendi i dytë, Shqipëria. Të parët në menaxhimin e financave publike, të parët në organizimin dhe zhvillimin e administratës publike dhe kështu me radhë. Dhe lufta kundër korrupsionit është një luftë e cila bëhet frontalisht dhe ku çdo segment bën punën e vet. “, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!