Giuseppe Marotta është një nga arkitektët e këtij Interi. Së bashku me Antonio Conten kanë kryer një punë fantastike, që po shpërblehet me fitimin e titullit kampion. Në prononcimin e dhënë përpara fillimit të sfidës me Crotonen, CEO i klubit zikaltër mohoi mundësinë e rikthimit te Juventusi.
“Nuk kam lidhje me zërat që qarkullojnë, unë synoj të hap një cikël fitues tek Interi“, deklaron Marotta, i cili flet edhe për ardhjen e presidentit Zhang në Milano. Në fund Antonio Conte. Elozhe për punën e trajnerit, që po drejton zikaltrit drejt rikthimit te titulli pas plot 11 viteve.
“Presidenti përfitoi nga mundësia për t’i qëndruar afër ekipit në këtë fazë finale të sezonit. Të gjithë jemi të përqendruar te arritja e objektivit tonë madhor, më pas do të diskutojmë për të ardhmen e Interit.
Conte? Nëse ndodhemi këtu dhe jemi afër titullit, merita është e trajnerit dhe punës së shkëlqyer që ka bërë. Ka krijuar një grup kompakt dhe e ka drejtuar atë në mënyrën më të mirë të mundshme“, theksoi Marotta. /abcnews.al