Jemen, rebelët dhe trupat qeveritare ulin armët

schedule23:30 - 18 Dhjetor, 2018

schedule 23:30 - 18 Dhjetor, 2018

Armëpushimi i ndërmjetësuar në Stockholm ka bërë që trupat qeveritare dhe rebelët në Jemen të ulin armët, për herë të parë pas luftimeve të ashpra që kanë gërryer vendin. Ndërkohë, OKB paralajmëron rrezikun e një krize urie për gjysmën e popullsisë së Jemenit, rreth 14 milionë banorë.

Jemeni ka gjetur pak qetësi pas hyrjes në fuqi të armëpushimit të ndërmjetësuar nga OKB, pavarësisht disa luftimeve sporadike të verifikuara në orët e para të mëngjesit të së martës. I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Martin Grifiths ka deklaruar se deri më tani iniciativa për të ulur armët po funksionon.

Luftimet mes forcave qeveritare dhe rebelëve huthi rrezikonin të paralizonin punën në portin e qytetit Hudajdah, që është një pikë kyçe për mbërritjen dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare. Thuajse gjysma e popullsisë së vendit, rreth 14 milionë banorë, është në prag të një krize urie dhe llogaritet që deri më sot të kenë vdekur rreth 85 mijë fëmijë si pasojë e kequshqyerjes.

Jemeni vazhdon të mbetet i gërryer nga konflikti që u përshkallëzua në vitin 2015, kur rebelët huthi morën nën kontroll pjesën dërrmuese të perëndimit të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana dhe detyruan presidentin Mansur Hadi të largohej. Të alarmuara nga fuqizimi i fraksionit rebel të afërt me Iranin, Arabia Saudite dhe 8 shtete të tjera arabe ndërhynë në përpjekje për të rivendosur rendin, por pa rezultat.

Armëpushimi që hyri në fuqi në mesnatë mbulon qytetin Hudajdah dhe portet e tij Salif dhe Ras Isa. Akordi për uljen e armëve u arrit javën e kaluar pas negociatave të mbajtura në Stockholm të Suedisë, por u desh të shtyhej për shkak të luftimeve të ashpra. Tani, të dyja palët e përfshira në konflikt deklarojnë se do t’i përmbahen marrëveshjes./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!