“Jelekët e verdhë” përfaqësojnë pakënaqësinë e pjesës rurale të Francës dhe sipas analistëve ajo e rritjes së çmimit të karburanteve është vetëm një nga arsyet e protestave. Protesta që i kanë dhënë një fitore të pastër dhe totale mijëra manifestuesve.
Eshtë një fitore për lëvizjen e “jelekëve të verdhë”, ose të paktën kështu vlerësohet nga një pjesë e madhe e njerëzve. Rritja e taksave mbi karburantet e parashikuar për vitin e ardhshëm u anulua për vitin 2019. Lajmi u konfirmua nga ministri francez i Tranzicionit Ekologjik. Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kryeministri Eduard Filip ranë dakord të anulojnë rritjen e taksës mbi karburantet për vitin 2019. Lajmi u konfirmua nga Elize. Sipas deklaratës zyrtare të presidencës franceze, qytetarët dhe qeveria duhet të gjejnë në muajt në vijim, zgjidhje dhe financime që të përballojnë sfidat e tranzicionit ekologjik. Zgjidhje që ruajnë forcën blerëse të francezëve.
Në përfundim të një debati që zgjati pesë orë Asambleja Kombëtare franceze miratoi me 358 vota pro dhe 194 kundër masat e propozuara nga kryeministri Eduard Filip si reagim ndaj protestave të “jelekëve të verdhë”. Gjatë debateve para votimit, kryeministri francez mbrojti vemdimin për të anuluar rritjen e taksës për karburantin dhe ngrirjen e tarifave për gazin dhe energjinë elektrike për këtë dimër. Pra nuk është vetëm një pezullim prej gjashtë muajsh. Vendimi i qeverisë synon gjetjen e një zgjidhjeje gjatë vitit të ardhshëm. Kryeministri Filip deklaroi pak ditë më parë se ekotaksa nuk do të ishte pjesë e projektit financiar vitin 2019, pasi do të kishte një moratorium prej gjashtë muajsh. Por nuk do të ndodhë kështu. Prioriteti i qeverisë është të qetësojë situatën dhe të frenojë protestat, të cilat javë pas jave kanë mbledhur në sheshet e protestave më shumë se 100 mijë persona.
Ndërkohë popullariteti i presidentit francez Macron është në rënie të vazhdueshme, duke shënuar rekordin më të ulët të një kreu shteti francez. Shqetësimi i presidencës Macron është shumë i madh dhe vëmendja është përqendruar tek e shtuna e katërt e protestave të “jelelëve të verdhë”. Sipas radios France Info, autoritetet presin një manifestim të dhunshëm dhe lajmet që vijnë nga terreni janë shumë shqetësuese. Sipas informacioneve të mediave franceze një grup prej disa mijëra personash po përgatiten për të shkuar në Paris dhe për të shkatërruar gjithçka. Për këtë arsye qeveria franceze kanë bërë apel për qetësi, duke u kërkuar njerëzve më të arsyeshëm që të mos protestojnë më. Por situata komplikohet edhe më shumë, pasi sindikata e policisë, duke deklaruar se është solidare me “jelekët e verdhë”, i ka kërkuar anëtarëve të saj dhe nënpunësve të Ministrisë së Brendshme që të hyjnë në grevë.
Aktualisht presidenti Macron uron që anulimi i rritjes së taksës të ulë tensionet. Me një lëvizje të momentit të fundit, ai anuloi rritjen e ekotaksës për 2019-n për të shmangur të shtunën e katërt të protestave dhe përplasjeve të “jelekëve të verdhë” e policisë. Ministri i Tranzicionit Ekologjik Francois de Rugi, në një intervistë për BfmTv, rrëfeu se gjatë bisedës me Macron, presidenti francez i kishte thënë se njerëzit mund të mendonin se anulimi i taksës ishte vetëm një lojë. Por në fakt është një vendim zyrtar. Por ajo që ka vënë në një kënd të ngushtë Macron dhe që po rrëzon mandatin e tij presidencial, është dhe përhapja e protestës: studentë, kamionistë, fermerë, shoferë ambulancash dhe tashmë vetë agjentët e policisë. Të gjithë duket se po mbështesin apo duan të shfrytëzojnë lëvizjjen e “jelekëve të verdhë”, edhe pse mbështetja e opinionit publik për protestën tashmë është në 60 për qind, krahasuar me 84 për qind të javës së parë të protestave.
E lindur si protesta kundër rritjes së çmimit të karburantit, manifestimi i “jelekëve të verdhë” u kthye në një shpërthim pakënaqësie kundër presidentit Emanuel Makron. Një rënie cilësia nga këndvështrimi politik që nuk mund të mos ketë pasoja. Manifestuesit në ditët e para të protestave synonin presidencën dhe dorëheqjen e Macron, duke kënduar Marsejezën. Sipas të dhënave të para të publikuara nga Ministria e Brendshme, ishin 81 mijë manifestuesit në sheshe në të gjithë vendin, prej të cilëve 8 mijë vetëm në Paris. Por protesta u karakterisua dhe nga polemikat politike sepse qeveria akuzoi për aktet e dhunës, anëtarët e ekstremit të djathtë të cilët urdhërohen nga Marine Le Pen. Madje qeveria akuzoi Le Pen dhe për përgjegjësinë e sulmeve të ditëve të fundit ndaj disa deputetëve të partisë së Macron dhe banesave të tyre. Kjo duke përmendur një mesazh të Marine Le Pen në profilin e saj në Tëitter, ku i kërkonte protestuesve të mblidheshin në Paris dhe pse autoritetet nuk kishin dhënë leje për manifestim. Por Marine Le Pen u përgjigj shumë shkurt duke thënë se ky ishte një qëndrim i pandershëm dhe patetik dhe se ajo nuk kishte bërë asnjëherë apel për përdorim dhune.
Macron falenderoi shpesh agjentët e policisë për kurajën dhe profesionalitetin duke i cilësuar të turpshme aktet e dhunës. Ai theksoi se në Francë nuk ka vend për një dhunë të tillë. Deri tani presidenti, i zgjedhur në Maj 2017, nuk ka pranuar të tërhiqet nga asnjë vendim që ka marrë, pavarësisht protestave. Por me zgjedhjet europiane që po afrohen dhe me një popullaritet në rënie, situata është shumë më delikate. Të dielën e fundit më shumë se 50 automjete të djegura u hoqën nga qendra e Parisit, ku një ditë më parë me mijëra persona kishin protestuar dhe kryer akte vandale në rrugë dhe monumente, në kuadër të protestave të “jelekëve të verdhë”. Për këtë arsye Macron u kthye më herët nga samiti i G20-ës në Buenos Aires, ai vizitoi Harkun e Triumfit, ku ndodheshin ende parulla ku shkruhej: “Kemi prerë koka dhe për shumë më pak. Poshtë borgjezia”.
Agjentët e policisë e kanë pasur të pamundur të ndalonin infiltrimin e personave të dhunshëm në protesta, por prokurori i Parisit tha për mediat se shumë nga 378 personat e arrestuar, janë burra të moshës 30 – 40 vjeç, pra më të vjetër se personat që normalisht përfaqësojnë pjesën e dhunshme të manifestimit. Ai theksoi se shumë prej tyre vinin nga zona larg Parisit, pra pikërish nga zona ku dhe lindi lëvizja e “jelekëve të verdhë”, që sipas analistëve përfaqëson mbi të gjitha, përçarjen e parë mes Francës të qendrave urbane dhe asaj periferike. Për natyrën e kërkesave të bëra, lëvizja e “jelekëve të verdhë” është karakterizuar nga përballja mes pjesës rurale dhe urbane, ky popullariteti i Macron është më i madh. Por me kalimin e kohës protestat u përhapën duke pasqyruar qartë problemet e klasës mesatare dhe asaj të ulët franceze, ku Macron gjithnjë është lodhur shumë për të gjetur mbështetje.
Ashtu si e pranojnë dhe veteë ata, “jelekët e verdhë” janë një lëvizje e përbërë më së shumti nga persona që nuk kanë marrë pjesë asnjëherë në manifestime politike. Një element që shqetëson autoritetet franceze, që s’mund të parashikojnë se si mund të degjenerojnë përplasjet me policinë në momentin që manifestuesit janë jo ekspertë. Pavarësisht se partitë kryesore të opozitës franceze, nga e djathta e Bashkimit Kombëtar të Marine Le Pen tek e majta e “Franca e pamposhtur” e Jean-Luk Melenshon, janë përpjekur të mbështesin protestën e “jelekëve të verdhë”, anëtarët e saj nuk kanë pranuar të përfaqësohen nga politika. Por gjatë protestës së fundit, mes disa manifestuesve është fotografuar një kryq celtik, simbol i lëvizjeve neofashiste.
Përveç protestave, në Paris, rreth 130 mijë persona vendosën 600 postblloqe në të gjithë Francën, duke vazhduar formatin fillestar të protestave me të cilat nisi lëvizja e “jelekëve të verdhë” në datat 17 – 18 Nëntor. Në origjinë, arsyeja e protestave ishte shtrenjtimi i çmimit të karburantit vendosur nga Macron: 7.6 cent rritje për një litër gaz, 3.9 cent rritje për një litër benzinë. Por që në fillim analistët theksuan se lëvizja në të vërtetë kishte kërkesa më gjithëpërfshirëse se sa ato për karburantin. Përveç domosdoshmërisë për rritjen e buxhetit, vendimi i Macron u shty dhe nga arsye ekologjike, pasi administrata e Macron synon një kryeqytet me ajër më të pastër. Në Paris, vetëm 13 për qind e njerëvze përdorin automjet për të shkuar në punë.
Gjeografi dhe autori francez Krostof Gili, prej vitesh studiues i Francës rurale dhe periferike, identifikon zonat territorial dhe segmenetet demografike në bazë të lëvizjes së “jelekëve të verdhë” me ato që kanë sjellë në pushtet Donald Trump në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Lëvizjes Pesë Yjet e Legën Nord në Itali. Sipas tij pabarazitë ekonomike dhe përçarjet sociale që shkaktuan protestat janë rezultat i asaj se si demokracitë perëndimore janë përshtatur me ndryshimet e modeleve ekonomike në vitet ’80 – ’90. Këto të fundit pavarësisht se sollën një shtim të pasurisë së klasës mesatare, shpërblyen në mënyrë të pabarabartë popullsinë, në kurriz sidomos të klasës mesatare, të ulët.
Këto ndryshime, kanë krijuar një gjeografi të re sociale ku qytetet janë kthyer në qendrat e punësimit dhe të pasurisë ndërsa zonat rurale, ku jeton pjesa më e madhe e klasës së mesme, kanë mbtur në një nivel të bllokuar të zhvillimit ekonomik. Edhe në Francë si në vende të tjera, klasa drejtuese nuk i ka vënë re këto ndryshime dhe këtë zemërim në rritje.
Pakënaqësi që kanë sjellë, në periudhën Tetor – Nëntor, një sërë denoncimesh në rrjete sociale, për rritjen e çmimit të benzinës dhe ku bëhej apel për protesta kolektive kundër Macron. Ky i fundit që nga zgjedhja si president, është parë si simbol i elitës franceze dhe pjesës më të pasur të vendit. Brenda pak kohe lindi dhe ideja për identifikimin në “jelekët e verdhë”, që shoferët duhet të mbajnë veshur nëse ndalojnë në rrugë pas ndonjë difekti në automjet. Në fazat e para ishte një lëvizje pa një lider dhe pse disa figura kyçe kanë fituar këto ditë një vëmendje të madhe mediatike.
Në ndryshim nga e ashtuquajtura lëvizje e sfurqeve, që shkaktoi disa protesta të mëdha në Dhjetor të vitit 2013, por pa arritur një rezultat të rëndësishëm, “jelekët e verdhë” nuk kanë pasur asnjë lidhje me lëvizjet e ekstremit të djathtë. Por gjithsesi pikat e përbashkëta nuk mungojnë: përbërja sociale, me sipërmarrës të vegjël, punëtorë të pavarur, tregtarë, artizanë, por dhe mënyra e organizimit të protestave nëpërmjet rrjetit social Facebook.
Nëpërmjet profilit të tij në Twitter, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, ri publikoi një mesazh të një aktivisti konservator amerikan Çarli Kirk, i cili flet për revoltën në Francën socialiste kundër taksave të vendosura nga e majta radikale. Më tej ai akuzon mediat se nuk po e mbulojnë si duhet situatën. Po sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përjetojnë një situatë shumë të favorshmë të zhvillimit ekonomik, ndërsa Europa po digjet. Duan të mbulojnë rebelimin e klasës mesatare kundër marksizmit kulturor. “Duam Trump” duhet të këndohet dhe në rrugët e Parisit./abcnews.al