Kur Jean-Marie Le Pen kandidoi për herë të parë në zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 1974, ai mori vetëm 0.75% të votave. Gjysmë shekulli më vonë, vajza e tij, Marine Le Pen, udhëheq partinë më të madhe në parlamentin francez dhe është një kandidate serioze për presidencën.
Jean-Marie Le Pen, i cili ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare, ishte për dekada një figurë kontroverse e së djathtës ekstreme në politikën franceze. Me një qëndrim të hapur racist dhe antisemit, ai shpesh dukej më i interesuar të ngjallte polemika sesa të fitonte pushtet.
Megjithatë, trashëgimia e tij është e rëndësishme. Një vështrim i shkurtër mbi vendin që mban sot e djathta ekstreme në politikën franceze dhe evropiane tregon fuqinë e jashtëzakonshme të mesazhit të tij anti-emigracion, anti-elitë, anti-globalizim dhe anti-BE.
Figurë kontraverse
Ish-parashutist dhe më pas deputeti më i ri në Francë në moshën 27-vjeçare, Le Pen u shfaq si një kundërshtar i fortë i Charles de Gaulle, duke e akuzuar atë për “zvogëlimin e Francës” me dhënien e pavarësisë Algjerisë.
Në vitin 1972, ai bashkë-themeloi Frontin Kombëtar (FN), një parti që përfshinte mbështetës nga fondamentalistët katolikë deri te nostalgjikët e qeverisë kolaboracioniste të Luftës së Dytë Botërore. Le Pen u paraqit si trashëgimtar i një ideologjie ultra-nacionaliste franceze.
Në vitet ’80, partia e tij filloi të tërhiqte një bazë më të gjerë, veçanërisht nga votuesit e klasës punëtore të veriut të Francës, të cilët ndiheshin të zhgënjyer nga rënia ekonomike dhe rritja e emigracionit. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2002, ai tronditi vendin duke hyrë në balotazh, ku fitoi 16.7% të votave – një tërmet politik për Francën.
Pengesa më e madhe për partinë e tij: vetë Le Pen
Megjithatë, stili i tij provokues dhe polemikat e pafundme ishin një pengesë për rritjen e mëtejshme të partisë. Ai u dënua disa herë për nxitje të urrejtjes racore dhe mohimin e krimeve të luftës. Deklaratat e tij për Holokaustin si një “detaj i historisë” dhe pretendimet se emigracioni afrikan do të “mbytë” Francën, shkaktuan zemërim të gjerë.
Në vitin 2011, Jean-Marie Le Pen u tërhoq nga politika aktive, duke ia kaluar drejtimin vajzës së tij Marine. Marine filloi një fushatë për të “de-demonizuar” partinë, duke e distancuar atë nga trashëgimia e babait të saj. Në vitin 2015, pas një konflikti publik mbi deklaratat e tij për Holokaustin, ajo e përjashtoi nga partia që ai kishte themeluar.
Në një lëvizje përfundimtare për të rinovuar imazhin e partisë, ajo edhe i ndryshoi emrin partisë. Strategjia e saj ka dhënë rezultate: Marine Le Pen ka arritur në balotazhin presidencial dy herë, në vitin 2017 dhe 2022, duke marrë përkatësisht 34% dhe 41% të votave. Ajo është një nga favoritet për zgjedhjet e vitit 2027.
Trashëgimia e Jean-Marie Le Pen
Ndërsa Jean-Marie Le Pen mbetet një figurë thellësisht përçarëse, platforma e tij politike është normalizuar në mënyrë alarmante. Politika anti-emigracion dhe retorika nacionaliste që ai promovoi tani janë përqafuar nga partitë kryesore të djathta në Evropë.
Partitë e ekstremit të djathtë, që ndajnë një vizion të ngjashëm anti-BE dhe nacionalist, aktualisht udhëheqin qeveritë në tre vende të BE-së, janë pjesë e koalicioneve në tre të tjera dhe mund të fitojnë pushtet në disa vende të tjera.
Në një nga vëzhgimet e tij më të mprehta, Le Pen deklaroi në vitin 1990: “Në përgjithësi, njerëzit preferojnë origjinalin ndaj kopjes.” Historia ka treguar se kjo thënie e tij ka qenë profetike. / bota.al