“Je me covid, vdis në shtëpi”, fshati Kakruk në Poliçan pa mjekë

schedule15:51 - 15 Janar, 2021

schedule 15:51 - 15 Janar, 2021

Fshat me rreth 400 banorë 112 familje gati gjysma e ka kaluar Covid që ku ka nisur pandemia, 10 km nga Bogova, 20 km Poliçan.

Një ndër banoret e prekur nga Covid është Nafie Baze, e cila jeton në fshatin Kakruk të Skraparit. Është e prekur me Covid por fatmirësisht aktualisht është në gjendje të qëndrueshme. Shkon përditë në qendrën shëndetësore, por derën e gjen gjithmonë mbyllur

Vuajmë për mjek nuk kemi mjek. As mjekim as gjë prej gjeje s’më ka dhenë po ha dynjanë në shtëpi po vdes. I them më dhemb krahu më thotë mos dil”, shprehet ajo.

Thonë se nuk ka ku të vizitohet për të trajtuar virusin vdekjeprurës. Mjeku ka dalë në pension dhe jeton në Tiranë. Shkon vetëm dy herë në javë në qendrën shëndetësorë të Bogovës, 10 km larg fshatit Kakruk. E vetmja mundësi është telefoni por pa gjetur zgjidhje.

Aureli është një tjetër banor i fshatit Kakruk. mësuesi ka të atin e infektuar me Covid. I duhet të bëjë rreth 20 km deri në Poliçan për tu konsultuar me mjekët e qytetit.

“Njëri nga pleqtë ka rezultuar me Covid, plaka për momentin e ka kaluar po ka nevojë ende për trajtim mjekësor. U detyrova të shkoj në një qendër tjetër shëndetësore në qytetin e Poliçanit. Mjeku që më mbulon sigurimet shëndetësore që ne paguajmë s’më shërben, pasi ai jeton në Tiranë. Po jo këtu në qendrën shëndetësore të Bogovës. Ai dhe kur vjen neglizhon.

Në fshatin Kakruk  ka rreth 20 banorë aktivë me Covid. Disa prej tyre kanë dhe sëmundje të tjera, ç’ka ua vështirëson gjendjen shëndetësore.

I kërkojmë instancave të larta të na mbulojnë me mjek”, shprehet një banor.

Në këtë fshat me mbi 400 banorë ka vetëm një infermiere e cila u shërben të gjithë banorëve.

Mungesa e mjekëve është një nga shqetësimet kryesore që evidentohet në zonat rurale të vendit. Politikat e Komitetit teknik të ekspertëve të Covid janë fokusuar në zonat urbane ndërsa banorët e fshatrave, kryesisht ato që janë larg qyteteve, duhet të luten te zoti, që të mos preken nga virusi i rrezikshëm./abcnews.al