Javë fantastike për disa nga futbollistët e kombëtares

schedule23:29 - 11 Shkurt, 2019

schedule 23:29 - 11 Shkurt, 2019

Disa prej futbollistëve të kombëtares shqiptare ishin protagonistë kryesore në fundjavën e kaluar me skuadrat e tyre respektive. Bekim Balaj, Ardian Ismajli, Myrto Uzuni dhe Ermir Lenjani gjetën rrugën e rrjetës.

Javë fantastike ajo që sapo lamë pas për disa prej futbollistëve të kombëtares shqiptare që shkëlqyen me klubet e tyre respektive. Mbrojtësi i kuqezinjve, Ardian Ismajli, i cili luan për fanellën e Hajdukut të Splitit në Kroaci, realizoi golin e parë në fitoren përballë Lokomotivës së Zagrebit. Mbrojtësi realizoi me kokë në fundin e pjesës së parë. Tek Hajduku në këtë takim luajti ndeshjen e parë si titullar edhe shqiptari tjetër, Françesko Tahiraj, duke zhvilluar një paraqitje dinjitoze. Tek Lokomotiva e Zagrebit u aktivizua Myrto Uzuni madje realizoi golin e barazimit në fillimin e pjesës së dytë.

Lenjani shkëlqen në Zvicër tek Sion. 29-vjeçari kuqezi vendosi baraspeshën në minutën e 25 në sfidën që Sion luajti në shtëpi ndaj Luganos së Armando Sadikut, i cili u aktiviuza vetëm në 15 minutat e fundit. Mbrojtësi anësor përfitoi nga një devijim i portierit kundërshtar duke realizuar me portën e boshatisur. Ky ishte goli i tretë në këtë sezon për Lenjanin. Tek Sion u aktivizua edhe Burim Kukeli që u rikthye në fushat e lojës pas një viti. Ai luajti vetëm 18 minuta në barazimin 2-2 ndaj Luganos.

Rej Manaj luajti për 65 minuta në fitoren që Albacete arriti ndaj Mallorcas 2-0. Një paraqitje pozitive per lushnjarin që konfirmon dhe një herë tjetër se po kalon një formë të mirë me skuadrën kryesuese në ligën e dyte spanjolle. 90 minuta u aktivizua mesfushori Ledian Memushaj tek skuadra e Peskarës në barazimin që këta të fundit e arritën në transfertën e Foxhias. Memushaj luajti një ndeshje të mirë, por nuk mundi të vendoste fatet e takimit. Një pike që e mban skuadren e Peskarës në vendin e 4 në Serinë B.

Megrim Mavraj u aktivizua si titullar tek Ingolshtad në barazimin pa gola ndaj Erzgebirge. Mbrojtësi i kombëtares është mjaft i rëndësishëm për skuadrën gjermane që vazhdon të mos pësojë gola edhe pse ndodhet në vendin e parafundit në renditje. Keidi Bare luajti për 60 minuta në barazimin që Malaga arriti në shtëpi ndaj Las Palmas. Mesfushorit i anulohet një asist për pozicion të parregull. Më pas detyrohet të lërë fushën e lojës pas kartonit të dytë të verdhë dhe do të jetë një mungesë e rëndësishme për skuadrën në ndeshjen e radhës.

Etrit Berisha një titullar i padiskutueshëm në radhët e skuadrës së Atalantës edhe në fitoren 2-1 përballë Spal. Mund të bënte më mirë në rastin e pësimit të golit të parë, por ishte një siguri për minutat e tjera të lojës. Bekim Balaj gjeti rrugën e rrjetës në miqësoren ku skuadra  e tij Akhmat Grozni humbi ndaj koreano jugorëve të Sjuon Bluings. Balaj ngushtoi diferencën në humbjen 2-1. Ky ishte goli i tretë në këto miqësore për shtatlartin e kombëtares kuqezi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!