Javë derbish në “Abissnet Superiore”, mësoni sfidat e javës së gjashtë

schedule09:46 - 19 Tetor, 2021

schedule 09:46 - 19 Tetor, 2021

Java e gjashtë e “Abissnet Superiores” rezervon sfida të veçantë, ndeshje që do të luhen nga e shtuna në të hënë.

Siparin e javës së gjashtë e hap përballja e ditës së shtunë mes Egnatias dhe Teutës. Një ndeshje interesante sepse të dy skuadrat janë në kuotë të njëjtë pikësh, duke grumbulluar 8 pikë që nga fillimi i sezonit. Sfidë që luhet në “Arenë Egnatia” në Rrogozhinë, ora 13:45.

Sfida tjetër e ditës së shtunë është ajo mes Kastriotit dhe Laçit. Një “miniderbi” që do të luhet në Kamzë, ku skuadra krutane vjen me moralin e lartë në këtë ndeshje pas një fitoreje më Skëndërbeun, ndërsa Laçi vjen pas dy humbjesh në kampionat dhe do kërkojë kthesën në këtë përballje.

Dita e diell fillon me sfidën Kukësi-Vllaznia, një përballje veriorësh, ku vetëm 1 pikë i ndan edhe në tabelën e klasifikimit ekzaktësisht Vllaznia me 9 pikë 1 më shumë se Kukësi që mban vendin e tretë. Sfida luhet në orën 13:45.

Skëndërbeu-Dinamo është dueli tjetër i të dielës, që zhvillohet në orën 16:45 në stadiumin “Skëndërbeu”, një duel i luftuar mes dy skuadrave ku do kërkojnë 3 pikëshin e kthesës.

“Qershia mbi tortë” e kësaj jave është derbi i vërtetë mes Tiranës dhe Partizanit, që luhet në stadiumin e “Air Albania” nën dritën e prozhektorëve, ora 19:45. Ky derbi është interesant, një duel që ka humore të ndryshme tek skuadrat e kryeqytetit. Tirana vjen si kryesuese e kampionatit e shkëputur me 2 pikë nga vendi i dytë, ndërsa Partizani me moralin zero sepse akoma nuk ka arritur të provojë shijen e fitores në këtë kampionat.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!