Jasir Asani është shumë pranë largimit nga Partizani. Klubi kryeqytetas kërkon 400 000 euro për kartonin e futbollistit që shënoi gol në Moldavi, në Ligën e Evropës.
Në Moldavi ishte i ndjekur special.
Jasir Asani nuk i nxorri huq menaxherët që kishin mbërritur në stadiumin e Tiraspolit, duke shënuar golin e Partizanit në Ligën e Evropës, e duke fituar betejën personale.
Pavarësisht eleminimit të kampionëve të Shqipërisë, sulmuesi 24-vjeçar e bëri të vetën, dhe me shumë gjasë transferimi për në një ligë tjetër është shumë pranë.
Në Turqi apo diku tjetër, kjo pritet të shihet, ndërsa ai ishte në vëzhgim të menaxherëve të dy klubeve turq.
Partizani i ka vendosur një klauzolë 400 000 euro kartonit të tij, ndërsa Asani mbetet në kontratë.
Shqiptari i Maqedonisë së Veriut ishte padyshim një nga futbollistët më të rëndësishëm në sezonin që solli titullin e parë në 26 vjet për Partizanin.
Ai shënoi mjaft gola vendimtarë, si ndaj Kukësit, Teutës apo Kamzës, si dhe shërbeu pasime goli.
Mjaft i talentuar, i shpejtë e me vizion loje, si dhe mjaft punëtor, Asani ishte ndër lojtarët kryesorë të trajnerit Skënder Gega.
Bashkë me të, Partizani pret të transferojë edhe dy lojtarë të tjerë të rëndësishëm si Esat Malën dhe Lorenc Trashin./ABC News Albania 24/7