Mban një mbiemër të rëndësishëm për të gjithë shqiptarinë, ndërsa duket se ka të ngulitur në karakterin e tij edhe traditën e kulturën e rrënjëve shqiptare.
Ardon Jashari vazhdon të jetë një nga emrat më të përfolur në mediat italiane, pas transferimit të tij te Milan për rreth 38 milion euro, një shifër të denjë për një yll të futbollit.
Por rruga e tij nga Brugge drejt skuadrës kuqezi nuk ishte e lehtë, ndërsa tratativat zgjatën disa javë. Madje kishte edhe momente, kur u mendua se marrëveshja nuk do të arrihej.
Por gjithçka u mbyll me një fund të lumtur vetëm falë “besës” që 23 vjeçari i kishte dhënë mes shqiptarësh Igli Tares, drejtorit sportiv të Milan.
Këtë detaj e ka zbuluar “La Gazzetta Dello Sport”. E përditëshmja sportive më e madhe përtej Adriatikut, mundohet t’i shpjegojë lexuesëve të saj kuptimin e “besës” si një fjalë nderi, që nuk mund të shkelet dhe për ta bërë më të kuptueshme e krahason me një firmë në kontratë.
Dhe me këtë premtim, Ardon Jashari refuzoi të gjitha ofertat më të mira financiare që I erdhën nga klube të tjerë sidomos ato të Premier Ligë.
Sipas “La Gazzetta Dello Sport” ishte “besa” që ndihmoi Milan të marrë shërbimet e një prej talenteve të mesfushës.
Pas firmës në kontratë, Ardon Jashari ka nisur zyrtarisht punën si lojtar i Milan, duke u stërvitur me skuadrën kuqezi. Ai pritet të debutojë në miqësoret e fundit përpara nisjes së sezonit në
Serinë A./abcnews.al

