Japonia ka hedhur një hap të ri drejt prodhimit të energjisë në vend. Sipas planit që do të vihet në zbatim së shpejti, synohet që të paktën 50% e energjisë elektrike të prodhohet nga burime të rinovueshme. Energjia bërthamore thuhet se do të zërë rreth 20 %.
Ky objektiv do të jetë i realizuar deri në 2040- ën dhe është pjesë e politikës së saj të rishikuar të energjisë, që fokusohet në kalimin në energji ‘më të pastër’, duke përmbushur njëkohësisht kërkesën në rritje për energji. Si importuesi i dytë më i madh botëror i gazit natyror të lëngshëm dhe një konsumator i madh i naftës nga Lindja e Mesme, strategjia e energjisë e Japonisë po tërheq vëmendjen globale nga prodhuesit e naftës, gazit dhe qymyrit.
Ndërsa plani i mëparshëm i energjisë përqëndrohej kryesisht në dekarbonizim, tani është drejtuar më shumë drejt sigurisë energjetike për shkak të rritjes së rreziqeve gjeopolitike, përfshirë Luftën Rusi-Ukrainë. Drafti i politikës së ministrisë së industrisë, i shpallur të martën, propozon rritjen e energjive rinovueshme në një gamë prej 40% deri në 50% të furnizimit me energji deri në vitin fiskal 2040.
Megjithatë, mbështetësit e energjisë rinovueshme e kanë kritikuar këtë draft, duke theksuar mungesën e një plani për eliminimin e centraleve me qymyr. Mika Ohbayashi, një drejtor në Institutin për Energinë Rinovueshme, gjithashtu ka tërhequr vëmendjen për objektivin e vogël për energjinë e erës, që është mes 4% dhe 8%, krahasuar me 20% për energjinë bërthamore. Kjo mund të bëjë që Japonia të mbetet pas në energjinë e erës në krahasim me tregje të tjera botërore. / abcnews.al