Japoni, 8 vjet nga tsunami

schedule00:04 - 16 Prill, 2019

schedule 00:04 - 16 Prill, 2019

8 vjet nga tërmeti dhe tsunami shkatërrues, autoritetet në Japoni kanë nisur një operacion për largimin e mbetjeve radioaktive nga impianti bërthamor i Fukushimës. Procesi është mjaft delikat dhe pritet të zgjasë 2 vjet.

Në impiantin e Fukushimës në Japoni ka nisur procesi për heqjen e magmës radioaktive që rrodhi nga një prej reaktorëve që u dëmtua nga tërmeti dhe tsunami shkatërrues i vitit 2011.

Pajisje të kontrolluara në distancë po largojnë materialin radioaktiv nga një rezervat që ndodhet në reaktorin numër tre të çentralit. Procesi delikat po kryhet në një zonë të kontaminuar dhe pritet të zgjasë të paktën dy vjet. Një zëdhënëse e operatorit që menaxhon impiantin, TEPKO, ka deklaruar se operacioni ishte shtyrë për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti në infrastrukturën e impiantit dhe për motive teknike.

Ndërtesat me reaktorë në impiantin e Fukushimës u dëmtuan nga shpërthimet e hidrogjenit, të shkaktuara nga tërmeti dhe më pas tsunami i 8 viteve më parë. Operacioni i nisur parashikon lëvizjen e mbi 500 cilindrave radioaktivë, të cilët do të nxirren nga rezervati i ndotur dhe do të transportohen me kamion në një rezervat të pastër. Gazrat radioaktivë mund të çlirohen nëse cilindrat çahen ose ekspozohen në ajër.

“Duhet të bëjmë shumë kujdes dhe të marrim masa për të parandaluar çdo incident”, ka deklaruar zëdhënësja Juka Matsubara. Ndërkohë, largimi i lëndës bërthamore të shkrirë nga brenda reaktorit nuk pritet të fillojë përpara vitit 2021 dhe konsiderohet si pjesa më e vështirë e operacionit të pastrimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!