Japonezja Naomi Osaka fiton Australian Openin

schedule20:45 - 26 Janar, 2019

schedule 20:45 - 26 Janar, 2019

Naomi Osaka triumfoi në turneun Australian Open në Melburn, ndaj çekes Kvitova. Tenistja e re japoneze arriti një sukses të vështirë, duke marrë Grand Slemin e dytë radhazi në karrierë

Një finale që mund të thuhet se i pati të dyja rivalet si fituese.

Naomi Osakën sepse ishte ajo që triumfoi në Australian Open, duke marrë një tjetër kupë të artë, por edhe Petra Kvitovën, sepse ishte një mrekulli që ajo arriti deri këtu, dy vjet pasi u plagos me thikë, në një sulm thuajse fatal.

Në Arenën e Melburnit, 21-vjeçarja japoneze mendohej si një fituese e paracaktuar nga fati.

Talenti më I madh I brezit të ri të tenisit erdhi në Australi si kampione në US Open, Grand Slemi I saj I parë, ndërsa Kvitova kishte kohë larg nivelit të saj më të lartë.

Finalja ishte vërtet e fortë, me Osakën thuajse gjithnjë në kontroll, por që e pati të pamundur ta mbyllte pa u rrezikuar seriozisht.

Japonezja fitoi setin e parë 7-6, dhe ishte shumë pranë fitores së ndeshjes në të dytin, por Kvitova nuk u dorëzua dhe triumfoi 7-5.

Në setin e tretë, Osaka u tregua më e përqëndruar duke arritur një sukses të vështirë 6-4, dhe përfundimisht 2-1 me sete.

Ky ishte titulli I dytë Grand Slem radhazi për të, duke barazuar amerikanen Xhenifer Kapriati, që I fitoi radhazi dy titujt e saj të parë në vitin 2001.

Kvitova nuk ia doli, por simpatia e publikut ishte për të.

Ishte mrekulli që dy herë fituesja e Uimbëlldonit arriti sërish një finale Grand Slemi, dhe shpresohet që 28-vjeçarja të arrijë triumfe të tjerë në një karrierë, ku ka fituar edhe 6 Kupa të Federatës, një Kupë Hopman si dhe medaljen e bronzit në Olimpiadë.

Osaka u vu shumë në vështirësi, ndërsa mbajti fjalimin në fund, duke thënë se oratoria nuk ishte specialitet I saj.

“E lexova fjalimin më përpara, por sërish harrova se çfarë duhej të thosha, – u shpreh ajo, – duke falenderuar tifozët për mbështetjen”.

Tashmë duket se epoka e legjendës Serena Uilliams po merr fund, dhe brezi I ri po nis dominimin në tenis, me yllin kryesor, Naomi Osakën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!