Japonezët në panik, 200 mijë firma për bllokimin e Olimpiadës Tokio 2020

schedule12:41 - 7 Maj, 2021

schedule 12:41 - 7 Maj, 2021

Në Japoni janë mbledhur brenda pak ditësh më shumë se 200 mijë firma për të bllokuar lojërat olimpike të Tokios, të parashikuara të mbahen në më pak se dy muaj pasi u shtynë për një vit për shkak të pandemisë.

Peticioni nisi të mërkurën nën moton: ndaloni Lojërat Olimpike të Tokios, për t’i kërkuar kryeministrit japonez dhe të gjithë institucioneve të përfshira, që të bllokojnë këtë event sepse do të rrezikonte shëndetin e popullsisë.

Qeveria japoneze dhe anëtarët e komitetit organizues të Tokio 2020, konfirmojnë se po përgatisin një edicion që do të ketë në qendër sigurinë e pjesëmarrësve por dhe të të gjithë vendit. Për këtë arsye, spektatorët që vijnë nga jashtë janë përjashtuar, por mbetet ende në pikëpyetje nëse do të ketë vend për spektatorët japonezë.

Ajo që është e sigurt deri tani është mbërritja e më shumë se 10 mijë personave, mes atletëve dhe anëtarë të delegacioneve nga 200 vende të ndryshme. Një situatë që shqetëson shumë japonezë si për përhapjen e varianteve të Covid në botë, por dhe për faktin se fushata e vaksinimit në vend po ecën me ritme shumë të ngadalta.

Kriza shëndetësore ka krijuar situatë kaotike në strukturat e emergjencës në zona të ndryshme. Në Japoni jetojnë më shumë se 126 milion persona, por dozat e vaksinës të injektuara deri tani janë më pak se 4 milion.

Dhe një spital i kryeqytetit japonez ka afishuar mesazhe kundër zhvillimit të lojërave olimpike. Japonia aktualisht po përjeton një valë të re infektimesh me një mesatare prej 5 mijë rastesh të reja ditore, ndërsa gjendja e jashtëzakonshëm është shtrirë deri në 31 maj. /abcnews.al