Mëngjesi i sotëm ishte shumë tronditës për mbarë botën. Sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës kanë ngjallur shumë kontestime dhe reagime nga të gjithë, ku pjesë e tyre edhe personalitete të njohura të botës së sportit. Të gjithë njëzëri kërkojnë tërheqjen e ushtrisë ruse nga territori ukrainas.
Një reagim për këtë situatë ka ardhur edhe nga 4 herë kampioni i Formula 1, Sebastian Vettel, i cili ka bojkotuar garën që do të zhvillohej në Rusi në shtator, ndërsa është shprehur shumë i shokuar nga kjo ngjarje.
“U zgjova me lajmet e mëngjesit i tronditur. Unë mendoj se është e tmerrshme të shohësh se çfarë po ndodh. Natyrisht, nëse shikoni kalendarin, ne kemi një garë të planifikuar në Rusi (më 25 shtator). Mendimi im është që nuk duhet të shkoj, nuk do të shkoj. Unë mendoj se është e gabuar të garosh në këtë vend. Më vjen keq për njerëzit e pafajshëm që po humbasin jetën e tyre, që po vriten për arsye të kota nga një udhëheqje shumë e çuditshme dhe e çmendur. Por personalisht jam i tronditur dhe i trishtuar kur shoh se çfarë po ndodh, kështu që do të shohim të ecim përpara, por mendoj se vendimi im është marrë tashmë”, ka deklaruar Vettel. /f.a/abcnews.al