Biznesmeni Rezart Taçi, i cili është shpallur në kërkim nga SPAK për një sërë akuzash do të vijë për punë ditësh në Shqipëri dhe do të dorëzohet. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Taçi në një lidhje telefonike me “Radari Informativ” në ABC me Jonida Shehun.
Ndërsa theksoi se nuk ka kryer asnjë lloj shkeljeje, biznesmeni tha se do të vijë në Shqipëri që të arrestohet dhe siç u shpreh ai, “t’i japë kënaqësinë” dikujt që po shpenzon para për të lobuar kundër tij.
“Do të vij në Shqipëri që t’i jap kënaqësinë dikujt që të jem i arrestuar për ca kohë, që të kënaqën disa persona dhe ta mbyllin, të mos harxhojnë para të pista…”
I pyetur se kur do të vijë, Taçi tha se do të jetë në vend për punë ditësh ndërsa shtoi se ka besim tek drejtësia shqiptare.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka shpallur në kërkim biznesmenin e njohur të hidrokarbureve.
Dy bashkëpunëtorë të tij Artur Balla dhe Bledar Lilo janë arrestuar në orët e para të ditës së sotme. Së bashku me katër italianë, biznesmeni shqiptar dhe dy bashkëpunëtorët e tij akuzohen për pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal. SPAK ka bllokuar mbi 18 milionë euro.
Si funksiononte skema?
SPAK deklaron se nga hetimet e nisura këtë vit në bashkëpunim me autoritetet italiane kanë zbuluar organizimin dhe funksionimin e një operacioni kompleks financiar ndërkombëtar të kundërligjshëm, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.
Skema financiare është drejtuar nga dy italianët Francesco Zummo dhe I.Z., në bashkëpunim me një tjetër italian Fabio Petruzzella të zviceranit me origjinë italiane Daniele Castagalli si dhe të biznesmenit shqiptar Rezart Taçi i përfshirë në biznese në sektorin e naftës. SPAK thotë se Taçi në funksion të kryerjes së kësaj veprimtarie ka angazhuar dy bashkëpunëtorët e tij shqiptarë, Artur Balla dhe Bledar Lilo.
Po sipas SPAK-ut gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera. /abcnews.al/